Kepi i Gjelbër po shkruan historinë në paraqitjen e tij të parë në Kampionatin Botëror. Pas barazimit pa gola ndaj Spanjës, debutuesi ka befasuar sërish duke marrë një pikë të madhe edhe ndaj Uruguait, me rezultat 2:2, duke u afruar ndjeshëm me kualifikimin në fazën nokaut.
Kepi i Gjelbër që tashmë kishte bërë histori me kualifikimin në Botëror dëshmoi se nuk ka ardhur vetëm për të marrë pjesë. Pas ndaljes së Spanjës, ajo arriti t’i rezistojë edhe dy herë kampionit të botës, Uruguait. Kepi i Gjelbër kaloi në epërsi në minutën e 21-të falë Kevin Pinës, i cili realizoi një gol historik nga gjuajtja e lirë rreth 35 metra.
Ishte goli i parë i këtij shteti në historinë e Kampionateve Botërore dhe erdhi në mënyrë spektakolare. Uruguai reagoi para pushimit. Ronald Araújo barazoi shifrat (44’), ndërsa Agustín Canobbio përmbysi rezultatin në fund të pjesës së parë (45+6’) për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Megjithatë, afrikanët nuk u dorëzuan.
Në minutën e 61-të, Varela shënoi për 2:2 dhe siguroi një tjetër rezultat historik për ekipin e tij. Pas dy ndeshjeve, Kepi i Gjelbër ka grumbulluar dy pikë nga barazimet ndaj Spanjës dhe Uruguait, një arritje që para fillimit të turneut do të dukej e pabesueshme. Në anën tjetër, Uruguai vazhdon të zhgënjejë.
Pas barazimit me Arabinë Saudite në ndeshjen hapëse, skuadra amerikano-jugore nuk arriti të fitojë as ndaj debutuesit afrikan, duke e vështirësuar dukshëm situatën e saj në grup. Tashmë Kepi i Gjelbër nuk konsiderohet më thjesht një autsajder simpatik. Pas paraqitjeve ndaj Spanjës dhe Uruguait, ai është shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori.
Në xhiron e fundit, Kepi i Gjelbër do të përballen me Arabinë Saudite në një ndeshje që mund të hyjë në histori. Një fitore do t’i dërgonte në fazën nokaut të Kampionatit Botëror, duke kurorëzuar një nga përrallat më të bukura të turneut. Në Grupin H, Spanja kryeson me 4 pikë, pasojnë Uruguai me 2, Kepi i Gjelbër 2 dhe Arabia Saudite me 1 pikë.
