Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Marrëveshja e paqes mes SHBA-së dhe Iranit nuk mund të zbatohet nëse lufta në Liban nuk përfundon, ka deklaruar Seyed Mehdi Tabatabaie, zëvendësshef i Komunikimit dhe Informimit në Zyrën e presidentit të Iranit.
“Vazhdimi i krimeve të regjimit sionist në Liban do të çojë në pavlefshmërinë e të gjithë marrëveshjes,” ka shkruar ai në platformën X, përpara bisedimeve të së dielës në Zvicër.
Irani do të ngrejë çështjen e shkeljeve të marrëveshjes fillestare të paqes mes SHBA-së dhe Iranit në takimin e kësaj pasditeje, ka thënë negociatori kryesor iranian, Mohammad Bagher Baghaei, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Fars.
Një zëdhënës i ekipit negociator iranian ka thënë ndërkaq se plani i delegacionit iranian është që bisedimet të vazhdojnë deri mbrëmjen e së dielës dhe se nuk ka gjasa që ato të zgjasin më shumë.
Ndërkohë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se ish-udhhëheqësi Suprem i Iranit e kishte bërë të qartë se Teherani nuk dëshironte të zotëronte armë bërthamore, duke iu referuar kërkesave të SHBA-së që Irani të mos pajisej me një të tillë. “E vetmja pikë për Amerikën është që ne të mos kemi një bombë atomike.
Kjo është diçka që edhe lideri i martirizuar e ka thënë vazhdimisht: ne nuk duam një bombë atomike. Amerika tha ta shkruajmë këtë dhe ta nënshkruajmë, dhe ne e nënshkruam”, ka thënë Pezeshkian.
