Filozofja dhe shkrimtarja shqiptare, Lea Ypi, në një intervistë me Jeta Xharrën për “Kallxo Përnime”, ka folur për historinë e përndjekjes nga regjimi komunist të familjes së saj, por edhe për lirinë, dinjitetin, demokracinë dhe raportet mes Shqipërisë e Kosovës.
Ypi është autore e dy librave: “Të lirë”, i cili fitoi Çmimin ‘Ondaatje’ dhe u vlerësua ndërkombëtarisht si një nga memoaret autobiografike më të jashtëzakonshme të viteve të fundit, dhe librin e dytë, “Të poshtëruarit”, në të cilin ajo rikthehet te historia e familjes së saj, veçanërisht te jeta e gjyshes Lemani Ypi dhe gjyshit Asllanit.
Përmes historisë së tyre, Ypi trajton jo vetëm periudhën e komunizmit në Shqipëri, por edhe ndryshimet e mëdha politike që kanë përshkuar Ballkanin – nga rënia e Perandorisë Osmane deri te rënia e komunizmit.
“‘Të poshtëruarit’ është pjesërisht një sagë familjare, e cila tregon historinë e gjyshes sime, Lemani Ypi, e cila ka lindur në Selanik në vitin 1918, pak vite para rënies së Perandorisë Osmane, dhe u zhvendos në Tiranë në vitin 2006, pak vite pas rënies së komunizmit në Shqipëri”, tregon ajo. Burgosja e gjyshit dhe internimi i gjyshes Gjyshi dhe gjyshja e Leas vinin nga elita shqiptare.
“Asllani- gjyshi, ishte socialdemokrat, kishte studiuar në Francë dhe ishte kthyer në Shqipëri, ku ishte gjithashtu i lidhur me agjentët e sigurisë britanike që ishin vendosur në Ballkan për të ndihmuar rezistencën antifashiste”, tregon Ypi.
Dhe për shkak të konfliktit mes socialdemokratëve dhe lëvizjes komuniste në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore, Ypi tregon se si ai “u arrestua me grupin e deputetëve dhe shkoi në burg për agjitacion e propagandë, në bashkëpunim me anglo-amerikanët, për rreth 15 vjet”. “Gjyshja humbi çdo gjë”, vazhdon Ypi. Ajo kishte familjen në Greqi, në Selanik.
“Kishte ardhur këtu vetëm, si e re, për të jetuar në Tiranë, për të kërkuar jetën dhe pavarësinë e saj. U dëbua, filloi punën në një kooperativë bujqësore, rriti e vetme tim at Xhaferin dhe kjo jetë e tyre është një mënyrë për të reflektuar konceptin e dinjitetit. ‘Ta ruash atë edhe në rrethana politike ekstreme, kur çdo gjë është kundër individit’”.
Ypi tregon se historia e përndjekjes së familjes ishte për shumë vite një pjesë e heshtur e jetës së saj. Për internimin e gjyshes, ajo e kuptoi tek pas rënies së komunizmit. “Gjatë gjithë fëmijërisë kishte mistere të fshehta në familje, prindërit flisnin fshehurazi, unë rritesha si një vajzë në një sistem komunist dhe që beson në të.
Ishte tabu në familje, nuk thuhej se gjyshi ka qenë në burg edhe pse këto pasojat e persekutimeve familjare barteshin edhe tek brezat e ri”, potencoi ajo. Pas publikimit të librit ‘Të lirë’, një fotografi e vjetër e gjyshes së saj, e publikuar në internet, e shtyu Ypin të kërkonte më thellë në të kaluarën familjare.
“Ishte një fotografi që nuk e kisha parë asnjëherë, dhe ishte nga një periudhë e jetës së gjyshes për të cilën kisha dëgjuar shumë, sepse ajo gjithmonë fliste për muajin e mjaltit në Cortina d’Ampezzo, në Itali, në vitin 1941… për mua kishte shumë mistere, sepse mendoja.. mes luftës botërore dikush të fliste për muaj mjalti”.
Në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ajo zbuloi se gjyshja ishte mbikëqyrur dhe dyshuar si “spiune greke”, ndërsa shërbimi sekret e thërriste vazhdimisht në biseda informative. “Presioni i sistemit ndaj grave, burrat e të cilave përfundonin në burg ishte edhe ky”, shtoi ajo.
Ypi shton se “një nga arsyet pse gjyshja vëzhgohej ishte ardhja nga Greqia dhe arsyeja zyrtare ishte se ka qenë spiune greke”. Në intervistë, Ypi flet edhe për bindjet e saj të majta dhe për mënyrën se si është e ‘mundur të mbash një traditë të mendimit të majtë’, pavarësisht krimeve dhe represionit të regjimit komunist.
Sipas saj, historia nuk mund të ndahet thjesht në bardh e zi dhe është e rëndësishme të rikuperohen historitë e viktimave të së majtës nga sistemi komunist.
“Kjo është një histori shumë e ndërlikuar që nuk mund të kthehet në diçka të bardhë dhe të zezë – histori që ka pjesë të errëta, por edhe të fuqisë e emancipimit të mendimit të majtë, dhe pikërisht këtë traditë mundohem të rikuperoj – që nis me historinë e gjyshes…”. Kosova, Shqipëria dhe ‘keqkuptimet mes dy vendeve’ Një pjesë e intervistës i kushtohet Kosovës.
Ypi flet për dallimet historike mes Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat u zhvilluan nën dy sisteme të ndryshme politike – Shqipëria nën një regjim komunist të izoluar dhe Kosova brenda Jugosllavisë. “Shumë nga keqkuptimet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë të bëjnë me mënyrën si janë zhvilluar edhe historitë e ndryshme të këtyre dy shteteve”.
“Di nga histori të familjes që kishte keqardhje për shqiptarët në Shqipëri që nuk dilnin dot, ndërsa kosovarët shiheshin si njerëz që kishin mundësi të endeshin lirshëm, dhe marrëdhëniet e tyre kanë qenë të ndikuara nga ky faktor – pra zhvillim në kontekste të ndryshme”, shton Ypi. Ajo ndalet edhe te demokracia, protestat dhe raporti i Shqipërisë e Kosovës me fuqitë e mëdha.
Ypi thekson se vendet e Ballkanit varen nga kontekste të mëdha gjeopolitike dhe se aleancat ndërkombëtare janë të rëndësishme, por njëkohësisht duhet të shmanget mitizimi i fuqive të mëdha. “Vende te vogla si Shqipëria e Kosova varen nga kontekste gjeopolitike të mëdha dhe duhet t’i mbajmë e kultivojmë ato aleanca sepse kështu mbijetojmë”.
Lidhur me protestat në Shqipëri e Serbi ajo shtoi se këto protesta spontane që nisin me vështirësi, por që bëjnë ndryshime pak nga pak. “Protestat që gjenerojnë vullnet demokratik janë shumë të rëndësishme”, tha ajo.
Në fund, duke folur për kuptimin e lirisë, Ypi thotë se ajo ka dy dimensione: një të brendshëm, që lidhet me përgjegjësinë morale të individit, dhe një të jashtëm, që garantohet nga institucionet. Hapësira mes tyre-një liri si ideal dhe ideologji është ajo pjesa kritike që i bënë aktivistet e intelektualet të luftojnë për liri”.
Për të, rezistenca e Kosovës është një shembull se si “Edhe në kushte represive, kur lufton dhe kërkon liri, arrin ta krijosh”, përfundoi ajo.
