Fati i Kosovës në udhëkryq nga politika e brendshme!…

0%

Janë ngritur në këmbë partitë politike, liderët partiakë, grupet e interesit, pseudogazetarë (e zuzarë), analistë e banalistë, opinionistë pa CV, gjeneralë e veteranë, hoxhallarë e priftërinj, spiunë dhe bashkëpunëtorë të bijës serbe. Të gjithë janë ngritur në këmbë kundër vetvetes, kundër shtetit të Kosovës, kundër lëvizjes së pavarësisë.

Kjo po i ndodh Kosovës pas 27 vitesh në liri, po i ndodh nga vetë shqiptarët, të cilët kanë humbur kodin e sjelljes normale, duke u ndarë e përçarë si asnjëherë më parë gjatë historisë. Po ndodhin këto fenomene famëkeqe e ogurzeza ndërmjet shqiptarëve, të cilët nuk janë të vetëdijshëm se jemi para një mallkimi me pasoja të paparashikueshme.

Shteti i Kosovës po sfidohet nga individë dhe grupe të caktuara interesi, të cilat janë në ofensivë të madhe për të krijuar sa më shumë kaos te qytetarët, duke i prishur dhe acaruar marrëdhëniet vëllazërore e ndërnjerëzore, me vetëdije apo për shkak të gjendjes patologjike mendore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nuk ka dilemë se kundër Kosovës po punojnë nga brenda dhe jashtë rryma të ndryshme destruktive, të cilat kanë për mision bllokimin dhe degradimin e institucioneve të shtetit.

Këto anomali kanë marrë përmasa shqetësuese në të gjitha sferat e jetës, duke filluar nga politika, nga mjetet e informimit, duke e tejkaluar çdo grafik në sferën e besimit dhe duke e polarizuar popullin me ideologji përmes rrymave të ndryshme fetare, të cilat janë në ofensivë, duke bartur e importuar kultura të sekteve nga vende të ndryshme të botës arabe e më gjerë.

Këto tendenca të njëpasnjëshme po qarkullojnë përmes kërcënimeve edhe nga individë të caktuar, të cilët flasin në emër të shoqatave të veteranëve të luftës së UÇK-së, duke u kërcënuar me protesta nëpër rrugët e Kosovës për të krijuar kaos dhe destabilizim të vendit.

Të gjitha këto fenomene që po i ndodhin Republikës së Kosovës pas 27 vitesh në liri e kanë emrin dhe mbiemrin, tendencën dhe qëllimin, motivin dhe prapavijën, si dhe emëruesin e përbashkët: “Luftën për pushtet dhe interesin materialo-financiar”. Këtë gjendje e krijuan po këto struktura, të cilat, në emër të popullit, e kanë bllokuar jetën politike e institucionale plot dy vjet.

Andaj, më thotë mendja se për këtë gjendje kaotike jemi vetë fajtorë e, assesi, askush tjetër. Kjo po i ndodh vendit nga individë dhe grupe të caktuara të politikës e të (parapolitikës), të cilët gjatë tërë jetës së tyre janë marrë me krim të organizuar e me shantazhe, duke rrahur gjoks se janë patriotë (pseudopatriotë), e të cilët kanë krijuar pasuri marramendëse në dëm të popullit.

Zoti e shpëtoftë shtetin e Kosovës nga vetë shqiptarët.

Burimi: Bota Sot