Gjyqtarët serbë nuk kthehen në detyrë! Profesori Krasniqi tregon pse

0%

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre dhe rikthimin në vendet e punës. Vendimi u mor të enjten paradite, pas shqyrtimit të kërkesës nga anëtarët e KGJK-së.

Me shumicë votash, Këshilli vendosi të mos e miratojë kërkesën dhe t’i propozojë ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, lirimin nga detyra të gjyqtarëve. Sipas KGJK-së, vendimi lidhet me dorëheqjet kolektive të bëra vite më parë nga gjyqtarët dhe stafi serb në sistemin e drejtësisë.

Vendimi ka nxitur reagim edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka shprehur “keqardhje të thellë” për refuzimin e kërkesës për rikthim në detyrë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Profesori Kolë Krasniqi e vlerëson juridikisht të arsyeshëm vendimin e KGJK-së për të mos lejuar rikthimin automatik të gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje në vitin 2022, duke theksuar se largimi kolektiv ishte veprim politik dhe kishte pasoja institucionale. Ai nënvizon rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të Kushtetutës e ligjit.

“Vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të mos lejuar tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin automatik të gjyqtarëve serbë e konsideroj, në parim, juridikisht të arsyeshëm dhe institucionalisht të drejtë. Dorëheqjet e vitit 2022 nuk ishin veprime të zakonshme individuale, por pjesë e një largimi të organizuar dhe kolektiv nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Vendimi u mor me nëntë vota për, një kundër dhe një abstenim, ndërsa KGJK-ja propozoi që emrat e gjyqtarëve t’i dërgohen Presidentes për lirimin formal nga detyra. Gjyqtari është bartës i pushtetit shtetëror dhe duhet të jetë i pavarur nga ndikimet politike, etnike dhe nga udhëzimet e çdo autoriteti jashtë rendit kushtetues.

Prandaj, largimi kolektiv për arsye politike e cenon besimin e qytetarëve në paanshmërinë, qëndrueshmërinë dhe besnikërinë kushtetuese të sistemit gjyqësor. Nuk do të ishte e drejtë që, pas afro katër vjetësh, dorëheqjet e deklaruara si të parevokueshme të anuloheshin sikur të mos kishin prodhuar pasoja juridike dhe institucionale.

Ky vendim përcjell mesazhin se institucionet e drejtësisë nuk mund të braktisen dhe të përdoren si instrument presioni politik, e më pas rikthimi të bëhet automatikisht, pa procedura, pa verifikim profesional dhe pa përgjegjësi individuale.

Në këtë kuptim, vendimi e forcon autoritetin dhe pavarësinë e KGJK-së, me kusht që arsyetimi i tij të mbështetet në Kushtetutë dhe ligj, të jetë i individualizuar dhe të mos përmbajë elemente diskriminuese” , tha ai. Ai thekson se gjinia etnike nuk duhet të jetë as pengesë, as privilegj, duke kërkuar konkurse të reja dhe transparente.

Sipas tij, ish-gjyqtarët serbë mund të aplikojnë individualisht, ndërsa integrimi duhet të bëhet përmes meritës, ligjit dhe konkurrimit të barabartë. “Megjithatë, vendimi nuk duhet të interpretohet si mbyllje e dyerve për gjyqtarët dhe juristët e komunitetit serb. Përkatësia etnike nuk mund të jetë as pengesë dhe as privilegj në ushtrimin e funksionit gjyqësor.

Zgjidhja më e drejtë do të ishte shpallja e konkurseve të reja, të hapura dhe transparente. Edhe ish-gjyqtarët mund të aplikojnë individualisht, por duhet t’u nënshtrohen kritereve të njëjta si të gjithë kandidatët e tjerë: verifikimit të integritetit, paanshmërisë, kompetencës profesionale dhe mospërfshirjes në veprimtari politike.

Në planin afatshkurtër, vendimi mund ta vështirësojë funksionimin e gjykatave në veri dhe mund të shfrytëzohet politikisht nga Beogradi. Në planin afatgjatë, integrimi i qëndrueshëm nuk ndërtohet përmes rikthimeve kolektive të negociuara politikisht, por përmes pjesëmarrjes individuale, respektimit të Kushtetutës dhe konkurrimit të barabartë.

Prandaj, ky vendim mund ta forcojë shtetin ligjor vetëm nëse pasohet menjëherë nga rekrutimi i gjyqtarëve dhe personelit të kualifikuar nga komuniteti serb dhe nga masa konkrete që qytetarëve në veri t’u garantohet qasje efektive në drejtësi.

Përgjegjësia duhet të jetë individuale, ndërsa integrimi institucional duhet të mbetet synim strategjik i Republikës së Kosovës” – përfundon ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot