Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka reaguar për qëndrimin e PDK-së ndaj marrëveshjes në parim për presidentin, duke ngritur disa pikëpyetje. Sadiku ka pyetur se çfarë po e shqetëson konkretisht PDK-në dhe nëse pas reagimeve të saj fshihet ndonjë skenar tjetër politik. “Pse gjithë ky alarm?” , ka shkruar ai, duke kërkuar që nëse ekziston ndonjë problem konkret, ai të bëhet publik.
Postimi i plotë: Pse është kaq e alarmuar PDK-ja nga marrëveshja në parim për presidentin, në rastin e Bekim Sejdiut, dhe nga reagimet e portaleve që lidhen me të, në krye me Berat Buzhalën, dhe shumë të tjerë. A thua po u del nga dora ndonjë projekt për destabilizimin e Kosovës, apo thjesht po u bien poshtë kauzat dhe gjithë këto rrotullime të kota rreth Qeverisë?
Seriozisht, cili është problemi konkret këtu? Çfarë po i pengon kaq shumë? Sepse, nga ajo që po shihet, duket sikur dikujt po i prishet një skenar që e ka ndërtuar prej kohësh. Nëse ka diçka tjetër pas kësaj, le ta thonë hapur. Nëse jo, atëherë pse gjithë ky alarm? Na e tregoni ku është problemi, se sinqerisht nuk po kuptohet.
