Marrëdhëniet ndërmjet Kanadasë dhe Bashkimit Evropian mund të hyjnë në një fazë të re, ndërsa ndryshimet gjeopolitike dhe tensionet e Otavës me Shtetet e Bashkuara po i afrojnë të dyja palët. Kryeministri kanadez Mark Carney pritet ta vizitojë Strasburgun në mes të shtatorit.
Ai do të marrë pjesë në fjalimin për gjendjen e Bashkimit Evropian të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe më pas do t’u drejtohet eurodeputetëve. Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e ka cilësuar vizitën si mundësi për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kanadasë dhe BE-së.
Afrimi ka nxitur edhe diskutime rreth mundësisë së një statusi të veçantë për Kanadanë, madje edhe të anëtarësimit të saj në një të ardhme më të largët. Një sondazh i “Nanos Research” tregoi se 28 për qind e kanadezëve e mbështesin plotësisht anëtarësimin në BE, ndërsa 29 për qind e përkrahin pjesërisht. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet gjeografia.
Traktati i BE-së u lejon aplikimin vetëm “shteteve evropiane”, çka e bën shumë të vështirë anëtarësimin e një vendi të Amerikës së Veriut. Ekspertët vlerësojnë se një partneritet i veçantë është më realist. Ai mund të përfshijë bashkëpunim më të gjerë në mbrojtje, ekonomi, energji, kërkime shkencore dhe politikë të jashtme.
Eurodeputeti italian Sandro Gozi ka propozuar një status të veçantë asociimi, i cili mund t’i mundësojë Kanadasë dialog më të ngushtë politik dhe pjesëmarrje në diskutime të caktuara të BE-së. Ideja po fiton vëmendje në një kohë kur Kanadaja po përballet me tensione të reja tregtare me SHBA-në.
Për këtë arsye, një partneritet i zgjeruar me BE-në shihet aktualisht si mundësi më reale sesa anëtarësimi i plotë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
