Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin më të fundit për situatën e zjarreve në vend, sipas të dhënave operative të orës të datës . Në territorin e vendit janë raportuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 228 forca operacionale, 10 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura. Vatra në Dajt, Qafë-Priskë, ka riaktivizime; në operacion janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse/AZM, 20 efektivë të FA dhe 2 helikopterë.
Në Vajkal, Bulqizë, zjarri vijon në një sipërfaqe të gjerë me shkurre e dëllinja, ku janë përqendruar forcat; janë angazhuar 31 forca vendore/vullnetare, 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter. Në Sllatinë, Dibër, vijon aktive vatra në sipërfaqe pyjore, ku kanë operuar 78 forca në terren dhe 1 helikopter, pa rrezik për zonat e banuara.
Aktive mbeten gjithashtu vatra në Qafë të Helmës, Bulqizë, e cila po monitorohet pa zhvillime dhe pa rrezik për banesat, si dhe vatra në Kroi i Madh, Krujë, ku po punohet me 2 automjete zjarrfikëse dhe situata është drejt normalizimit dhe shuarjes së plotë. Në malin e Dardhës, Librazhd dhe malin e Qukësit, Prrenjas, vatrat mbeten nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarret në Komsi, Mat dhe Delisuf, Vlorë, janë shuar plotësisht. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
