Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj deklaratave të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), i cili refuzoi kërkesën e gjyqtarëve serbë për rikthim në punë që kur dhanë dorëheqje më 2022.
Ndonëse BE nuk u pajtua se vendimi i Këshillit ishte në përputhje me ligjin e Kosovës, ministrja Gërvalla thekson se “ky vendim është i një institucioni të pavarur dhe është vendim që është marrë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.” Ajo në fakt e ka mbështetur fuqishëm vendimin e KGJK-së.
“Nëse pretendohet shkelje e ligjit, atëherë le të tregohet saktësisht ligji që qenka shkelur. Është e papranueshme që sot një vendim i Këshillit Gjyqësor, i mbështetur në kuadrin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, të vihet në pikëpyetje për arsye politike.
Nuk mund të kërkohet nga Kosova zbatimi i ligjit dhe, në të njëjtën kohë, të ushtrohet presion ndaj institucioneve të saj kur ato e zbatojnë atë.” – Gërvalla në Facebook më .
“Partnerët tanë evropianë duhet ta mbështesin shtetin ligjor në Kosovë jo vetëm kur rezultatet janë të përshtatshme politikisht, por pikërisht kur institucionet e pavarura marrin vendime mbi bazën e ligjit.” – ka shtuar ajo.
Gërvalla ka thënë se përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në institucionet e drejtësisë është detyrim kushtetues dhe se ky përfaqësim nuk mund të përdoret si arsye për të relativizuar ligjin, pavarësinë e gjyqësorit apo përgjegjësinë individuale të bartësve të funksioneve gjyqësore. “Republika e Kosovës është shtet ligjor.
Dhe shteti ligjor ka kuptim vetëm kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Republika e Kosovës nuk mund të sakrifikojë shtetin e saj ligjor për hir të politikave ledhatuese të BE-së, e në dëm të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës. Në Republikën e Kosovës askush nuk është mbi ligjin. Bash askush! Asnjë individ. Asnjë institucion.
Dhe asnjë presion politik, vendor apo ndërkombëtar.” – ka theksuar ajo. Sipas Gërvallës, Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në nenin 26, përcakton shprehimisht detyrimin e Këshillit që, në rast të dorëheqjes së gjyqtarit ose prokurorit, t’ia dërgojë presidentit propozimin për lirimin nga detyra.
Ajo shpjegon se dorëheqjet e gjyqtarëve serbë janë dhënë në vitin 2022 dhe se kanë kaluar pothuajse katër vjet. “Gjatë kësaj periudhe, ata janë shkëputur nga proceset e rregullta të sistemit gjyqësor të Kosovës, përfshirë raportimin, vlerësimin e performancës, trajnimet e vazhdueshme dhe detyrimet e tjera që u takojnë të gjithë gjyqtarëve.
Mungesa e vazhdueshme nga puna përbën shkelje të rëndë disiplinore sipas Ligjit në fuqi për Përgjegjësinë Disiplinore të vitit 2018. Kjo, së bashku me detyrimet e tjera ligjore të shkelura, e bën të papranueshme tërheqjen e këtyre dorëheqjeve në rrethanat aktuale.” – ka thënë Gërvalla.
Ministrja ka kujtuar dorëheqjet e vitit 2022, të cilat vlerëson se nuk ishin veprime individuale dhe të izoluara. “Ato u dhanë në mënyrë të organizuar, së bashku me dorëheqje nga pozita të tjera në institucionet e drejtësisë, në rrethanat e një presioni politik të drejtuar nga shteti i Serbisë.
Një veprim i tillë binte ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me detyrimin e gjyqtarëve për të respektuar rendin kushtetues dhe sistemin juridik të vendit dhe për të ruajtur pavarësinë e tyre në ushtrimin e funksionit.” – ka kujtuar Gërvalla.
Sipas saj, të njëjtin qëndrim mbajti edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës më , kur refuzoi kërkesën e prokurorëve serbë dhe punonjësve administrativë për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor 2022. “Prandaj, e sfidoj publikisht cilindo që pretendon se këto vendime bien ndesh me ligjin e Republikës së Kosovës: na tregoni cili ligj është shkelur. Cili nen? Cila dispozitë?
Na tregoni cili ligj i Republikës së Kosovës përcakton se një person mund të japë dorëheqje nga një funksion në sistemin e drejtësisë, të mos e ushtrojë atë funksion për afërsisht katër vjet dhe më pas të rikthehet në të njëjtën pozitë?” – ka thënë Gërvalla.
Në anën tjetër, në deklarimin e BE-së përmendet se si Kosova sipas Kushtetutës “është një shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit dhe sistemi i saj i drejtësisë duhet të pasqyrojë diversitetin etnik të Kosovës.” Kështu, BE thotë se i ka bërë vazhdimisht thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe marrëveshjet e Dialogut.
“BE-ja shpreh keqardhje të thellë për vendimin e djeshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të pranuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të Kosovës, të cilat tashmë ishin tërhequr. Kjo pason vendime të ngjashme të marra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe presidenti në detyrë në korrik, lidhur me dorëheqjet e prokurorëve serbë të Kosovës.
Këto vendime duket se janë të papajtueshme me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë.” – thuhet në deklarimin e BE-s ë, më .
BE ka vlerësuar se vendimet e tilla po ashtu bien ndesh me parimet e një gjyqësori multietnik dhe dëmtojnë besimin e komunitetit serb të Kosovës, minojnë përpjekjet për një rikthim të qëndrueshëm në institucionet e Kosovës.
Megjithatë, BE u ka bërë thirrje të gjithë akterëve të përfshirë që të krijojnë kushtet për një gjyqësor multietnik, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe zotimet e bëra në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më , në mbledhjen e 371-të ka marrë vendim për të refuzuar kërkesën për tërheqje të dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb me nëntë vota për, një kundër dhe një abstenim. Emrat e të dorëhequrve dërgohen te ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu për lirim nga detyra.
Për këtë vendim ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se e përshëndet vendimin e Këshillit dhe se në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërrmarë veprime për lirim nga detyra të tyre.
Po ashtu Këshilli Prokurorial i Kosovës më ka refuzuar kërkesën e ish-prokurorëve serbë dhe stafit të tyre mbështetës për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës.
