Kosova ka arritur në shifrën e gjashtë medaljeve në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, me xhudon që edhe një herë po dëshmohet si sporti kryesor që i sjell vendit sukses në arenën ndërkombëtare.
Të shtunën, në ditën e dytë të garave të xhudos, Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 63 kilogramë, ndërsa Shpati Zekaj u stolis me medaljen e bronztë në kategorinë deri në 100 kilogramë. Kështu, nga gjashtë medaljet e fituara deri më tani nga Kosova në Taranto, plot pesë janë siguruar nga xhudistët e drejtuar nga kryemjeshtri Driton Kuka.
Medalja e vetme e artë për Kosovën deri më tani është fituar në boks nga Donjeta Sadiku. Bilanci i Kosovës në këto Lojëra përbëhet nga një medalje e artë, një e argjendtë dhe katër të bronzta.
Përveç Donjeta Sadikut, që u shpall kampione në boks, medaljet për Kosovën i kanë fituar Laura Fazliu me argjend, si dhe Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj me medalje të bronzta. Nga shtatë xhudistët kosovarë që kanë marrë pjesë në “Taranto 2026”, pesë kanë arritur të ngjiten në podium, një tregues i qartë i nivelit dhe vazhdimësisë së këtij sporti.
Laura Fazliu ishte ndër emrat më të pritur për medalje dhe e justifikoi këtë pritshmëri. Ajo e nisi garën me fitore ndaj turkes Ozlem Yildiz, ndërsa në gjysmëfinale triumfoi me paraqitje bindëse ndaj francezes Doria Boursas. Në finale, Fazliu u përball me italianen Carlotta Avanzato.
Dueli ishte i fortë dhe i kujdesshëm, me italianen që realizoi herët një “Yuko”, ndërsa më pas arriti ta ruajë epërsinë deri në fund. Laura provoi të gjente pikën e barazimit, por nuk ia doli, duke u detyruar të kënaqet me medaljen e argjendtë. Ndërkohë, Shpati Zekaj pati një rrugëtim më të gjatë drejt podiumit.
Ai e nisi garën me fitore ndaj malazezit Aleksandar Tomiq, ndërsa në duelin pasues u mposht me “Ippon” nga tuniziani Koussay Ben Ghares, edhe pse gjatë luftës kishte epërsi. Në repasazh, Zekaj reagoi fuqishëm duke mposhtur grekun Athanasios Mylonelis me “Ippon”.
Në luftën për medaljen e bronztë ndaj algjerianit Rayana Benatia, fitorja u vendos me dënime, me kundërshtarin që mori dënimin e tretë dhe Zekaj që siguroi vendin në podium. Kosova po merr pjesë për herë të tretë në Lojërat Mesdhetare dhe xhudoja vazhdon të jetë sporti që mban peshën kryesore të rezultateve.
Edhe pse medalja e artë e Donjeta Sadikut në boks dëshmoi potencialin edhe në sporte të tjera, pesë nga gjashtë medaljet e fituara deri më tani në Taranto kanë ardhur pikërisht nga xhudoja.
