Ajo se çfarë më nxiti për ta shkruar këtë shkrim është fakti se sot, si në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ajo e cila ka “triumfuar” është liria e korrupsionit, hajdutërisë dhe e tradhtisë.
Pra, sot Shqipëria dhe Kosova duhet të çlirohen nga e drejta dhe nga liria për të bërë korrupsionin, hajdutërinë dhe tradhtinë; duhet ndëshkuar e pastruar politika, prej së cilës po vuan padrejtësisht shoqëria shqiptare në Shqipëri e Kosovë.
Për ta realizuar këtë, shqiptarët duhet ta kujtojnë, sidomos sot dhe në shekuj, sakrificën e Adem Jasharit dhe të familjes së Jasharajve për liri kombëtare, për shtetin e bashkuar kombëtar. Adem Jashari është figura më e madhe përbashkuese për shqiptarët në të gjithë historinë tonë kombëtare, është simbol i unitetit kombëtar.
Pas çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, nuk janë realizuar nga politika kosovare pritshmëritë që duhet të vinin; nuk u realizua ashtu si duhet sakrifica e Adem Jasharit dhe e familjes së tij; por, përkundrazi, politika në Kosovë, mediat, korrupsioni, tradhtia, islamofobët serbofilë dhe mbeturinat agjenturore shqipfolëse në Kosovë janë bërë kërcënim shumë i madh për sovranitetin e Kosovës.
Koha po zbulon edhe fytyrën e vërtetë të atyre të cilëve populli u kishte besuar si patriotë, pasi koha po zbulon dhe nxjerr në dritë tradhtitë e mëdha dhe pazaret me interesat dhe me trojet shqiptare, të maskuara me patriotizmin fals të “patriotëve” falsë e zullumqarë.
Në Kosovë, ashtu si edhe në Shqipëri, mediat, në shumicën e tyre, po promovojnë agjenda antishqiptare dhe u mundësojnë, favorizojnë dhe u japin hapësira opinionistëve, analistëve dhe programeve djallëzore antishqiptare përçarëse, ashtu siç duan armiqtë e shqiptarëve.
Në këto kushte, unë e shikoj të arsyeshme që shqiptarët kanë nevojë që vazhdimisht t’u kujtojmë atyre sakrificat e jashtëzakonshme të popullit heroik të Kosovës për liri e pavarësi kombëtare kundër gjenocidit serbosllav; t’u kujtojmë shqiptarëve vazhdimisht dhe pandërprerë Veprën e Madhe e të jashtëzakonshme të Heroit Kombëtar Adem Jashari, vepër e cila të shërbejë për brezat si frymëzim, por edhe si detyrë për t’i shërbyer Kombit dhe Atdheut.
Vepra e Adem Jasharit nuk u pëlqen atyre të cilëve nuk u ka pëlqyer dhe nuk e kanë dashur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; nuk u pëlqen ish-spiunëve dhe as tradhtarëve të djeshëm e të sotëm; nuk u pëlqen as hajdutëve dhe të korruptuarve; nuk u pëlqen nostalgjikëve të administratës së ish-kolonizatorit serb; as nostalgjikëve politiko-fetarë të ish-regjimit komunist jugosllav.
Nuk e duan pavarësinë e Kosovës ata që thonë se serbët i kemi vëllezër nga feja, kur dihet mirë se feja dhe deviza e Kishës serbe dhe ajo e serbëve është antishqiptarizmi.
