Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të marrë mbështetjen e liderëve të Bashkimit Evropian gjatë ditës së dytë të samitit në Bruksel, në një kohë kur përplasjet me presidentin amerikan Donald Trump po shtojnë tensionet brenda aleancës transatlantike.
Liderët e Bashkimit Evropian pritet të shprehin mbështetje të fuqishme për Ukrainën, ndërsa mosmarrëveshjet mes Zelenskyt dhe Trumpit kanë përshkallëzuar tensionet mes Kievit dhe Uashingtonit, raporton Euronews . Përplasja e fundit lidhet me kërkesën e Trumpit që Ukraina të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Presidenti amerikan ka fajësuar këto sulme për rritjen e çmimeve të karburanteve, ndërsa Zelensky ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke deklaruar se ndikimin kryesor në tregjet e energjisë po e shkakton lufta e ShBA-së kundër Iranit. Pavarësisht presionit nga Uashingtoni, presidenti ukrainas ka bërë të qartë se sulmet ndaj industrisë ruse të naftës do të vazhdojnë.
Ai gjithashtu ka minimizuar shqetësimet se ShBA-ja mund të ndërpresë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën si formë hakmarrjeje. Për shumë liderë evropianë, sulmet me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave strategjikë rusë përbëjnë një nga mjetet kryesore të Ukrainës për të ushtruar presion ndaj Moskës.
Për këtë arsye, gjatë takimit në Bruksel, pritet që liderët e BE-së të forcojnë mbështetjen për Kievin dhe të shfaqin një qëndrim të përbashkët përballë zhvillimeve të fundit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!