Julian Alvarez po përjeton një situatë të tensionuar me Atletico Madridin, teksa sulmuesi argjentinas dëshiron me çdo kusht të largohet nga klubi dhe të transferohet te rivali i La Ligës, Barcelona. Sipas raportimeve nga Spanja, Alvarez dëshiron ekskluzivisht transferimin në Camp Nou.
Në fillim të përgatitjeve, ai refuzoi të stërvitej me skuadrën, duke kërkuar largimin, ndërsa Atletico Madrid nuk dëshiron në asnjë mënyrë ta shesë te një rival direkt. Klubi madrilen ka rënë vazhdimisht dakord për kushtet e një transferimi të Alvarez te Arsenali, por sulmuesi e ka refuzuar këtë mundësi. Tashmë, sipas mediumit Cope, situata ka marrë një tjetër kthesë.
Alvarez thuhet se është paraqitur në klub me një raport mjekësor, në të cilin deklarohet se vuan nga depresioni. Argjentinasi nuk është stërvitur me ekipin për tri ditë rresht, duke e vazhduar kështu sagën që ka zgjatur gjatë gjithë verës. Megjithatë, ai është zotuar se do t’i kompensojë mungesat e tij në stërvitje.
Sipas raportimeve, gjendja e tij e pretenduar psikologjike erdhi pas një konflikti me drejtuesit e klubit. Alvarez thuhet se u ka thënë atyre, me lot në sy, se “do të preferonte të pensionohej sesa të pranonte shantazhin”. Burime jozyrtare nga Spanja pretendojnë se Alvarez pësoi një krizë nervore dhe një atak paniku gjatë bisedës me drejtuesit e Atleticos.
Ai raportohet se u ka bërë të ditur drejtuesve se nuk do ta veshë më kurrë fanellën e klubit madrilen, me të cilin ka kontratë edhe për katër vite të tjera. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
