Në Andorrë u kompletua edicioni i zbehtë i futbollit kosovar në Evropë

0%

Nga: Arsim Maxhera Shpërndaje në: Plot 25 shanse për skuadrën vendase e vetëm katër për skuadrën mysafire, përkatësisht kampionen e Kosovës, Dritën. Bilanc ndoshta i pranueshëm në fazën e ligës në “Conference League”, ku ka skuadra cilësore nga ligat cilësore evropiane. Por jo edhe aq në plejofin kualifikues të Ligës së Konferencës, përballë skuadrës nga Andorra, Inter Escaldes.

Shanset e krijuara dëshmojnë dominimin e ekipit të Andorrës në fushë, në ndeshjen ndaj Dritës së Gjilanit. Ndeshja në Andorrë megjithatë përfundoi pa gola, kurse në penallti Inter Escaldes fitoi 4:2. Interi shkroi histori duke u bërë ekipi i parë nga Andorra në fazën e ligës, përkatësisht fazën grupore në kupat evropiane. Dhe histori shkroi në llogari të Dritës.

Në fakt dëshpërimi i së enjtes në Andorrë vetëm kompletoi një edicion shumë të zbehtë për futbollin kosovar në Evropë. Drita ishte skuadra e fundit që mbeti në garë, ndër të tjera edhe për shkak të rrugës më të lehtë që e kishte si kampione. Andorra ka popullsi prej 90 mijë banorësh, sa është kapaciteti i stadiumit “Wembley”. Dhe ka skuadër në fazën e ligës, për dallim nga Kosova.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Një natë e vështirë për ne, pasi eliminohemi në penallti nga Inter d’Escaldes”, ka shkruar Drita. E vështirë ishte gjithë vera për Dritën. U eliminua në raundin e parë kualifikues të Championsit nga Zhalgiris Kaunas i Lituanisë, ndonëse llogaritej favorite. U zhvendos në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku me shumë mund e eliminoi Florianan e Maltës, pas vazhdimeve.

Paraqitjet e zbehta sollën ndarjen me trajnerin Zekirija Ramadani me të cilin gjilanasit shkruan histori edicionin e kaluar. Vetëm në raundin e tretë kualifikues, Drita bindi. Fitoi 4:1 dhe 5:0 ndaj Tre Fiorit të San Marinos. Ishte fazë e kalimit nga njëri trajner te tjetri, përkatësisht nga Ramadani tek Ardian Nuhiu i kthyer. Madje në ndeshjen e parë Drita kishte trajner të përkohshëm.

Pritej që Drita ta kalonte Interin e Andorrës dhe të kualifikohej në fazën e ligës, ku ishte vjet. Megjithatë, pas barazimit 2:2 në Prishtinë, erdhi humbja me penallti në Andorrë dhe eliminimi i dhimbshëm. Kjo nënkupton dukshëm më pak para për Dritën në edicionin e ri. Herët me futbollin evropian u përshëndetën edhe tri skuadrat tjera kosovare të futbollistëve.

Dukagjini nisi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 6:1 nga Lugano e Zvicrës. Lugano është skuadër e nivelit dukshëm më të lartë se ato që i kishte përballë Drita. Malisheva në raundin e parë kualifikues të “Conference League” e eliminoi Vllazninë e Shkodrës, me rezultatin e përgjithshëm 6:2.

Por më pas u eliminua nga Hiberniani skocez, me gjithë fitoren 2:0 në ndeshjen e parë. Në Skoci, malishevasit pësuan 4:1. Megjithatë ishte kampanja më e mirë prej skuadrave kosovare të futbollistëve. Ballkani në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës e eliminoi skuadrën nga Uellsi, Connah’s. Dëshpëroi në raundin e dytë duke u eliminuar nga Bohemians i Irlandës.

Gjithë këto skuadra tani mund të fokusohen në garën për titull të kampionit të Kosovës dhe atë për Kupë të Kosovës. Dhe të gjitha prej synimeve do ta kenë për t’u kthyer në skenën evropiane, me shpresë që verën e ardhshme të qëndrojnë më gjatë në të.

Burimi: Koha