Në Ministrinë e Ekonomisë është mbajtur mbledhja e parë konstituive e Bordit të Drejtorëve të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë (KRE) Sh.A., duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë.
Sistemi do të ketë kapacitet të përgjithshëm prej 340 MWh dhe synon të rrisë sigurinë energjetike, të përmirësojë balancimin e kërkesës dhe ofertës për energji elektrike, si dhe të lehtësojë integrimin e burimeve të ripërtëritshme.
Kryeministri Albin Kurti tha se themelimi i kësaj ndërmarrjeje publike i shton sistemit energjetik të Kosovës një mundësi të re për ruajtjen e energjisë dhe shfrytëzimin e saj në orët kur kërkesa është më e lartë. “Kemi KEK-un dhe Ibër-Lepencin që prodhojnë energji elektrike. Kemi KOSTT-in që e transmeton atë.
Tani kemi edhe Korporatën e Ruajtjes së Energjisë, KRE-në, që do ta ruajë energjinë për orët kur na duhet më së shumti”, deklaroi Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi rëndësinë e përgatitjes së ekipit të KRE-së, duke vënë në pah se përveç mirëmbajtjes dhe operimit të baterive, korporata do të ketë rol të rëndësishëm edhe në analizimin dhe parashikimin e tregut të energjisë.
Ndërkaq, drejtori i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Rinor Gjonbalaj, vlerësoi se konstituimi i bordit shënon fillimin e një faze të re, me fokus në ndërtimin e një ndërmarrjeje publike profesionale dhe financiarisht të qëndrueshme.
Drejtoresha ekzekutive e MCA-Kosovës, Florina Duli-Sefaj, theksoi se kjo arritje është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Ekonomisë, MCC-së dhe MCA-Kosovës. KRE është themeluar më si ndërmarrje publike qendrore, me Qeverinë e Kosovës si aksionarin e vetëm.
Funksionalizimi i saj është pjesë e Marrëveshjes së Kompaktit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova përfiton një grant prej 202 milionë dollarësh nga MCC-ja, ndërsa Qeveria e Kosovës kontribuon me 34.7 milionë dollarë, duke e çuar vlerën e përgjithshme të programit në 236.7 milionë dollarë.
Nga kapaciteti i përgjithshëm prej 340 MWh, KRE do të menaxhojë dhe operojë sistemin prej 250 MWh në Bellopojë të Istogut, ndërsa sistemi prej 90 MWh në Sojevë të Ferizajt do të menaxhohet nga KOSTT-i.
Këto sisteme pritet të rrisin fleksibilitetin dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë, si dhe të ndihmojnë në shfrytëzimin më efikas të energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme.
