Dy punonjës të Policisë së Tiranës janë pezulluar nga detyra pas publikimit të fotografive të Ergys Agasit nga ambientet e brendshme të Policisë. Në një përgjigje zyrtare për Top Channel, Policia e Shtetit konfirmon se ndaj dy efektivëve ka nisur hetim disiplinor për “shkelje të rëndë”, pas verifikimeve për nxjerrjen dhe publikimin e fotografive.
Policia sqaron se pamjet nga momenti i arrestimit dhe jashtë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë realizuar nga kalimtarë dhe jo nga strukturat e saj. Por për fotografitë nga ambientet e brendshme, hetimi vazhdon dhe disa pyetje mbeten ende pa përgjigje: kush i realizoi, kush i nxori jashtë Policisë dhe çfarë roli konkret kanë dy efektivët e pezulluar?
Vetë Policia përcakton se materialet e përfituara për shkak të detyrës dhe të paautorizuara për publikim, kur rezultojnë të nxjerra në mënyrë të kundërligjshme, sjellin përgjegjësi. Pezullimi i dy efektivëve është hapi i parë. Përfundimi i hetimit duhet të sqarojë jo vetëm nëse pati shkelje, por kush ishte përgjegjës për të.
