Delegacioni i Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën e 40-të Ndërkombëtare të DEA-s për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave (IDEC XL), në Buenos Aires, Argjentinë nga 18-.
“Me mbështetjen dhe koordinimin e Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnim në Hetimet Penale të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së (DOJ-ICITAP), Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), si dhe Zyrës së Administratës për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave (DEA) në Sofje, Policia e Kosovës mori pjesë në Konferencën e 40-të Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave (IDEC XL), të mbajtur në Buenos Aires, Argjentinë”, njofton Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës u përfaqësua nga Reshat Murseli, drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN) dhe z. Naim Raci, shef i Sektorit Qendror në Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve.
“Me temën “Drejtësi përmes Forcës dhe Unitetit”, udhëheqësit e DEA-s theksuan nevojën për unitet ndërmjet aleancave në luftën kundër organizatave të huaja terroriste, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër rrjeteve të trafikimit të drogës, korrupsionit, kimikateve pararendëse dhe drogave të reja sintetike, pastrimit të parave dhe dhunës në mbarë botën.
Bashkëpunimi na jep forcë, ndërsa uniteti na jep aftësinë për ta vënë drejtësinë në jetë”, njofton Policia. Konferenca e DEA-s në Argjentinë mblodhi së bashku zyrtarë të lartë nga rreth 110 vende të ndryshme të botës.
Pjesëmarrësit adresuan kërcënimet globale në zhvillim që lidhen me drogat sintetike, rrugët detare të krimit, qarkullimin e paligjshëm financiar, zhvillimet teknologjike dhe sfidat më të gjera të krimit të organizuar transnacional. Gjatë konferencës, delegacioni i Kosovës u takua me agjenten speciale në detyrë për Evropën, znj.
Marissa Lee, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin e deritanishëm, profesionalizmin dhe rolin e këtij bashkëpunimi në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës, si dhe për bashkëpunimin ndërajonal dhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë. Të dyja palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në luftën kundër narkotikëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar transnacional.
Përveç kësaj, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës u angazhuan në diskutime me homologë nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, duke shqyrtuar mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë, shkëmbim të informatave, ndarjen e praktikave më të mira të bashkëpunimit, si dhe përpjekjet e përbashkëta operative për të luftuar trafikimin global të drogës.
“Policia e Kosovës mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj DOJ-ICITAP, INL-së dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për mbështetjen e tyre të palëkundur në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe të qëndrueshme”, njofton Policia e Kosovës.
