Shqipëria do të ndikohet sot nga një valë e fortë të nxehti, e cila do të sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave në pjesën më të madhe të qarqeve. Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 39°C në disa qytete të vendit, si Elbasani, Berati, Shkodra dhe Tirana.
Në ultësirën perëndimore dhe përgjatë vijës bregdetare, përfshirë edhe zonat jugore, temperaturat do të lëvizin nga 33°C deri në 37°C, duke sjellë mot të nxehtë dhe të qëndrueshëm gjatë gjithë ditës. Zonat malore do të regjistrojnë temperatura disi më të ulëta, të cilat parashikohen të variojnë nga 29°C në 32°C.
Moti do të karakterizohet nga kthjellime të gjata dhe diell i plotë, ndërsa në orët e pasdites mund të ketë vranësira të lehta kalimtare në zonat malore, pa mundësi për reshje. Parashikimet tregojnë se temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe në ditët e para të javës së ardhshme, duke mbetur në nivele shumë të larta për stinën.
Edhe gjatë natës pritet rritje e temperaturave, veçanërisht në zonat e ulëta dhe ato bregdetare.
