Ratko Mlladiq, i dënuari për gjenocid që la gjurmë gjaku gjithandej

0%

Ish-gjenerali i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, do të mbahet mend nga shumica e njerëzve si një kriminel i pamëshirshëm lufte, por pavarësisht dënimeve të tij për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, ai prapëseprapë konsiderohet hero nga ultranacionalistët serbë.

Pas raportimeve të vazhdueshme se shëndeti i Ratko Mlladiqit po përkeqësohet fort dhe jetës së tij po i vjen fundi, ish-gjenerali i Ushtrisë Serbe të Bosnjës vdiq të enjten, më , në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë në moshën 84-vjeçare.

Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë e shpalli Mlladiqin fajtor për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, duke e dënuar për disa nga mizoritë më të egra në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe duke ia shqiptuar burgimin e përjetshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mlladiq u dënua për gjenocid ndaj boshnjakëve në qytetin lindor të Srebrenicës më 1995, për persekutimin dhe shfarosjen e boshnjakëve dhe kroatëve në krejt vendin, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me fushatën e granatimeve e sulmeve me snajperë, si dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Por ai u lirua nga akuzat për kryerjen e gjenocidit në gjashtë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992. Kur bie fjala për Srebrenicën – vrasjet sistematike të burrave dhe djemve boshnjakë dhe operacioni pasues i mbulimit të krimit – Mlladiqi do të mbahet mend gjatë historisë.

Sipas aktakuzës së Tribunalit të Hagës, “më shumë se 7.000 të burgosur të kapur në zonën përreth Srebrenicës u ekzekutuan menjëherë nga 13 deri më . Vrasjet vazhduan edhe më pas”. Ushtria Serbe e Bosnjës dhe formacionet paramilitare serbe u përpoqën të fshihnin shkallën e krimeve, duke i varrosur viktimat në varre masive.

Gjithsej 95 varreza masive janë zbuluar rreth zonës së Srebrenicës; shtatë ishin varreza masive, ku trupat ishin varrosur fillimisht. Pjesa tjetër e tyre ishin varreza ku trupat ishin zhvendosur në përpjekjet e pastajme të fshehjes së krimit.

Tribunali i Hagës e hodhi poshtë ankesën e Mlladiqit kundër dënimit të tij në qershor 2021, duke vënë më në fund një lloj drejtësi për mijëra familje të njerëzve që u vranë. Refija Hadzibuliq, një nga nënat e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, kishte thënë atëherë se verdikti përfundimtar ishte një njohje e vuajtjeve të tyre.

“Do të thotë shumë për ne ta dimë se ka pasur një gjenocid, se ata kryen gjenocid. Sepse ata gjithmonë e mohojnë atë. Dhe tani nuk mund ta mohojnë, krejt bota e sheh se çfarë ndodhi dhe çfarë bënë ata”- kish theksuar Hadzibuliq.

Por liderët politikë serbo-boshnjakë ende e shohin Mlladiqin si hero që luftoi për mbrojtjen e Republikës Srpska, entitetin e dominuar nga serbët e vendit që u krijua, me Radovan Karaxhiqin si udhëheqës të saj, pak para se të kriste lufta më 1992.

Milorad Dodik, i cili prej kohësh ka qenë politikani më i fuqishëm serb i Bosnjës, ka theksuar se vendimi për Mlladiqin “nuk lidhej fare me ligjin dhe drejtësinë”. Dodik pretendoi se gjyqi u mbajt me qëllim “satanizimin” e serbëve dhe u ankua se “po bëhet një përpjekje për të krijuar një mit për gjenocidin në Srebrenicë, i cili nuk ndodhi”.

Trashëgimia familjare e luftës Mlladiq u lind në vitin 1943 në fshatin boshnjak, Bozinovci, rreth 70 kilometra në jug të kryeqytetit Sarajevë. Ai ishte i biri i një familjeje partizane komuniste jugosllave dhe babai i tij u vra në një nga betejat e fundit të Luftës së Dytë Botërore, gjë që e frymëzoi t’i ndiqte hapat e të atit dhe të regjistrohej në një shkollë ushtarake në Beograd.

Ai e përjetoi për herë të parë luftën në pranverën e vitit 1991 kur Ushtria Popullore Jugosllave e dërgoi në qytetin kroat të Kninit për t’i ndihmuar rebelët serbë atje. Knini shërbeu si fortesë serbe atëherë. Deri në fund të qershorit të vitit 1991, Mlladiq u emërua komandant i Korpusit të 9-të të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Knin.

Njëherësh, Knini ishte tashmë i izoluar nga pjesa tjetër e Kroacisë, ku kryengritësit serbë shpallën shtetin e tyre të Territorit Autonom të Krajinës më 1990. Për sulmin ndaj fshatit Kijevo pranë Kninit, të cilin e urdhëroi në gushtin e vitit 1991, Mlladiqi u dënua me 20 vjet burg nga gjykata e qarkut në qytetin kroat të Shibenikut.

Sipas Tribunalit të Hagës, sulmi ndaj Kijevos ishte momenti kur Ushtria Popullore Jugosllave, nën komandën e Mlladiqit, mori hapur anën serbe në konflikt. Pasi trupat jugosllave pushtuan fshatin, serbët vendas hynë dhe e morën atë. Ky model u përdor më pas në të gjithë ish-Jugosllavinë gjatë luftërave që pasuan – në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

Kur filloi lufta në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 1992, presidenti serb, Slobodan Millosheviq, nuk donte të perceptohej si agresor. Vendimi i tij ishte ta furnizonte Ushtrinë Serbe të Bosnjës me armë dhe personel, ndërsa Mlladiqi u emërua strategu kryesor ushtarak.

Në vitet e pastajme, Ushtria Serbe e Bosnjës përvetësoi stilin agresiv të luftës së Mlladiqit, duke përhapur vdekje dhe frikë midis civilëve jo-serbë. Mijëra syresh u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Qytete si Foça, Prijedori dhe Vishegradi u spastruan sistematikisht nga myslimanët boshnjakë.

Lufta në Bosnjë përfundoi në nëntorin e vitit 1995 me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes së Daytonit. Një vit më vonë, pasi u padit nga prokuroria e Tribunalit të Hagës, Mlladiq u zhvendos në Serbi. Ai tani ishte njeriu më i kërkuar në Europë.

Në arrati në Serbi Mlladiq nuk i kreu kurrënjëherë ofensivat e tij ushtarake tinëz dhe shpesh i lejoi ekipet televizive të regjistronin çdo hap të tij. Ai gëzonte mbështetje të madhe në mesin e nacionalistëve serbë dhe autoriteteve serbe, të cilat i ofruan mbrojtje pas luftës pavarësisht faktit se kërkohej nga Tribunali i Hagës.

Nga viti 1996 deri në vitin 2003, Mlladiqi u mbrojt nga establishmenti ushtarak serb. Por pas rrëzimit të udhëheqësit autoritar, Slobodan Millosheviq, Serbia miratoi një ligj për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës dhe Mlladiqi u detyrua të jetonte në arrati.

Ai ia doli mbanë të jetonte i fshehur falë rrjetit të mbështetësve deri në majin e vitit 2011, kur forcat speciale të policisë bastisën një shtëpi në pronësi të njërit prej të afërmve të tij në fshatin Lazarevac. Ndërsa shumë njerëz iu gëzuan arrestimit të tij, mbështetësit u mblodhën në protesta të mëdha në Beograd dhe në disa qytete në Republikën Srpska.

Gjatë nëntë viteve të gjykimit, Mlladiqi vazhdoi t’i mohonte akuzat dhe këmbënguli se veproi për t’i mbrojtur serbët. “Qëllimi im është i thjeshtë – mbrojtja e territorit serb dhe njerëzve që kanë jetuar atje për shekuj me radhë”, kish deklaruar ai gjatë luftës.

Mlladiqi ende konsiderohet si hero nga disa ultranacionalistë serbë, megjithëse verdikti përfundimtar në vitin 2021 nuk provokoi demonstrata në të njëjtën shkallë, si arrestimi i tij dhjetë vjet më parë.

Megjithatë, shfaqja e vazhdueshme e muraleve dhe grafiteve që e ngrehin në qiell Mlladiqin në Beograd dhe në disa qytete boshnjake viteve të fundit tregon se edhe më shumë se 30 vjet pas vrasjeve të Srebrenicës, mohimi i gjenocidit mbetet i përhapur në Republikën Srpska e Serbi, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

Në Bosnjë-Hercegovinë, ligji ndalon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës u imponua më 2021 nga Përfaqësuesi i Lartë i atëhershëm, Valentin Inzko, zyrtari ndërkombëtar përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të paqes që i dhanë fund luftës.

Kjo frenoi mbështetjen e hapur për Mlladiqin, megjithëse ai mbetet simbol për ekstremistët serbë – dhe për të mbijetuarit e luftës boshnjake, të cilët nuk do t’i harrojnë kurrë mizoritë e kryera nga ushtria që ai komandonte. Artikulli fillimisht u publikua në Balkan Insight . Shkarko pa pagesë e-librin e BIRN në gjuhën angleze, “Ratko Mlladiq – Nga fushëbeteja në gjykatë”, KËTU .

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo