Personalitetet më të larta të një kombi janë ata të cilët kanë dhënë gjithçka të tyren, që kanë dhënë dhe sakrifikuar jo vetëm pasurinë, por edhe jetën dhe familjet e tyre për të mirën kombëtare shqiptare, ata prej të cilëve kemi sot Kosovën shtet.
Kosova ka shumë e shumë heronj të mëdhenj e të lavdishëm që kanë dhënë jetën për kombin dhe atdheun e vet, dhe nuk janë heronj ata të cilët u kanë shërbyer kombeve, shteteve dhe popujve të tjerë, madje edhe armiqve të shqiptarëve.
Nuk janë heronj as ata shqiptarë të cilët i lavdëron dhe i respekton Serbia e Greqia, si Esat Toptani, Enver Hoxha, dhe as ata që luftuan për shtetin e pavarur grek e serb dhe s’kemi pse të krenohemi aq shumë as për ata humanitarë që u shërbyen kombeve të huaja.
Për Kosovën, si personalitete më të shquara për kontribute kombëtare janë Hasan Prishtina, Heroi i madh për Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kundër copëtimit të trojeve shqiptare nga Europa, Franca, Britania, Rusia, Serbia e Greqia.
Hasan Prishtina është truri i lëvizjes kombëtare shqiptare, komandanti dhe udhëheqësi i kryengritjeve të mëdha për Pavarësinë e Shqipërisë; është strategu ushtarak, diplomati dhe politikani i madh shqiptar që e vendosin atë si personalitetin më të lartë shqiptar të të gjitha kohërave, i cili shkriu gjithçka për Bashkimin Kombëtar në luftë të pandërprerë kundër shovinizmit dhe gjenocidistëve serbë, por edhe për demokratizimin e Shqipërisë.
Personalitet tjetër i madh është Adem Jashari, së bashku me të gjithë familjarët e tij, që për nga kontributi dhe sakrifica për atdheun dhe për lirinë kombëtare është rast unik në botë, i cili luftoi kundër makinerisë ushtarake më të fuqishme dhe më moderne në Ballkan dhe kundër një shteti militarist ndër më të fuqishmit në Europë.
Dhe kjo sakrificë e jashtëzakonshme e Heroit Kombëtar Adem Jasharit na bën të ndjehemi krenarë. Ishte pushka e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e Sylejman Vokshit dhe e kryengritjeve shqiptare të Kosovës të udhëhequra nga Hasan Prishtina që i thanë Europës sllavo- e grekofile se: “Shqipëria nuk është shprehje gjeografike”, por Shqipëria është tokë dhe atdhe i shqiptarëve.
Ishte pushka e Jasharajve ajo e cila e “zgjoi” Europën dhe i tha asaj se Kosova është e shqiptarëve dhe jo e atyre të cilëve ti, Europa e pabesë, ua kishe dhuruar grekëve e serbëve për interesat e tua.
Hasan Prishtina dhe Adem Jashari janë personalitetet më të mëdha kombëtare sepse ata luftuan për lirinë dhe pavarësinë kombëtare pa u marrë “leje” europianëve, se sa për Europën nuk do të kishim pasur as Shqipërinë dhe as Kosovën shtet.
As Hasan Prishtina, as Adem Jashari nuk u pëlqejnë as disa farë intelektualëve serbofilë e islamofobë dhe as gazetarëve mbeturina e spiunë të ish-kolonizatorit serb, të cilët nuk kanë dëshirë që jo vetëm të shkruajnë për ta, por as nuk kanë dëshirë që të dëgjojnë për këto dy figura më të lavdishme kombëtare shqiptare, sidomos për Kosovën kreshnike, e cila padrejtësisht për 100 vite ishte koloni e regjimit kriminal e gjenocidist serb.
