Të dielën mbylli dyert Panairi i Librit në Frankfurt. Me atë rast juristit të së drejtës ndërkombëtare Philippe Sands iu nda Çmimi i Paqes, një nga mirënjohjet më të rëndësishme në Gjermani. Sands kritikoi heshtjen gjermane përballë veprimeve të Izraelit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor. Ceremonia e dorëzimit të çmimit u zhvillua në kishën Paulskirche të Frankfurtit.
Në fjalimin e tij, laureati Philippe Sands e akuzoi Gjermaninë për “heshtje të pahijshme” ndaj Izraelit. Shkeljet e së drejtës ndërkombëtare duhen emërtuar qartë – sidomos mes miqsh, tha ai. Kjo nuk është antisemitizëm dhe as qëndrim kundër Izraelit – është e vërteta, tha Sands, i cili është pasardhës i të mbijetuarve të Holocaustit.
Ai bëri thirrje gjithashtu për më shumë mbështetje për Ukrainën. Sands është profesor në Londër dhe vepron si avokat i të drejtave të njeriut pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Shoqata Gjermane e Tregtisë së Librit e vlerësoi atë si një humanist të angazhuar.
Në arsyetimin e këshillit të fondacionit thuhej se, pavarësisht kundërshtimeve në rritje, Sands angazhohet pa u lodhur për të drejtat e njeriut dhe përpiqet për drejtësi e mirëkuptim. Çmimi shoqërohet me 25.000 euro. Shoqata e jep atë që nga viti 1950.
Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” kështu raporton për ceremoninë e e së dielës në Frankfurt: “Gjermania e njeh mirë spastrimin etnik, thotë Philippe Sands në kishën Paulskirche. ‘Përse, atëherë, kjo heshtje?’ Përse politika gjermane nuk shprehet më qartë për veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor?
Për juristin dhe shkrimtarin britaniko-francez, i cili ka përfaqësuar çështje si avokat në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, deklaratat gjithnjë e më të ashpra të kancelarit (gjerman) dhe të anëtarëve të tjerë të qeverisë e të parlamentit nuk mjaftojnë”.
Pikërisht nga Gjermania, e cila më shumë se çdo vend tjetër është përballur me krimet e së kaluarës së vet, Sands pret një ndryshim më rrënjësor të qëndrimit. Ai vetë thotë se, si pasardhës i hebrenjve të Evropës Lindore që mezi i shpëtuan vrasjes, Gjermania “më ka bërë ky që jam”. Kritika ndaj veprimeve të Izraelit, thekson ai, “nuk është antisemitizëm dhe as qëndrim kundër Izraelit.
Është e vërteta”. Pavarësisht se me cilat terma juridikë do të përcaktohen përfundimisht këto krime, tha Sands mes duartrokitjeve të të të pranishmëve (aty ishte edhe presindeti gjerman Frank-Walter Steinmeier), ato janë krime të tmerrshme: “Ato kërkojnë që përgjegjësit të japin llogari dhe duhet të denoncohen”. Në Frankfurt, Philippe Sands mbajti një fjalim kundër heshtjes.
Philippe Sands, laureati i çmimit, lindi më 1960 në Londër, në një familje hebreje. Gazeta “Die Zeit” veçon sidomos rëndësinë e qytetit ukrainas Lviv (Lemberg) në veprën e Sands. “Sepse Lviv është qyteti të cilit Philippe Sands ia detyron zërin e tij si autor, siç do të thotë në fjalimin e falënderimit.
Në këtë qytet, të njohur edhe si Lemberg, ai kishte kërkuar vite më parë gjurmët e gjyshit të tij hebre, Leon. Rastësisht, gjatë kërkimit kishte zbuluar edhe gjurmët e dy juristëve të mëdhenj, të cilëve u detyrojmë konceptet juridike të cilat, që nga viti 1945, mundësojnë ndëshkimin e krimeve kundër njerëzimit dhe të gjenocidit: Hersch Lauterpacht dhe Raphael Lemkin.
Nga ky kërkim gjurmësh lindi edhe libri i parë i madh i Philippe Sands, ‘Kthimi në Lemberg’”. Gjatë punës së tij si jurist Sands zbuloi planet për tortura në Guantánamo, mbrojti të deportuarit para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kërkoi që “ekocidi” të ndëshkohet si vepër penale. / Telegrafi
