Nga: BBC Përktheu:
Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Sulmi me dronë ukrainas ndaj një rafinerie nafte në Moskë ka rikthyer luftën në vëmendjen e banorëve të kryeqytetit rus. Teksa autoritetet minimizojnë ndikimin e sulmeve, dëmet në infrastrukturë dhe pasojat ekonomike po bëjnë që konflikti të ndihet gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme të rusëve Ka momente kur jeta në Moskë duket krejtësisht normale.
Por mëngjesi i së enjtes nuk ishte një prej tyre. Në juglindje të qytetit, një rafineri nafte u godit gjatë një sulmi me dronë nga Ukraina. Edhe nga larg, pamja ishte e pazakontë. Re të dendura tymi ngriheshin mbi zonën e rafinerisë dhe errësuan qiellin. Si një mbulesë e madhe e zezë, tymi varej mbi horizontin e Moskës.
Megjithatë, po aq e jashtëzakonshme sa pamja ishte edhe reagimi i njerëzve pranë rafinerisë. Pa u kushtuar shumë vëmendje reve të mëdha të tymit, një peshkatar vazhdonte të rrinte pranë një pellgu, duke peshkuar si zakonisht. Në parkun e lojërave përballë, fëmijët argëtoheshin në luhatëse. Njerëzit hynin e dilnin nga supermarketi, sikur të ishte një e enjte e zakonshme.
Perceptimi për atë që konsiderohet normale në Moskë kishte ndryshuar. Për një kohë të gjatë, lufta në Ukrainë është dukur e largët për shumë banorë të kryeqytetit rus. Shumë prej tyre kanë zgjedhur të sillen sikur ajo të mos ekzistojë. Por kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Lufta po afrohet gjithnjë e më shumë pranë qytetit.
Gjatë një viti e gjysmë të fundit, banorët e Moskës janë zgjuar shpesh me lajme për vrasjen e gjeneralëve rusë ose për sulme me dronë ndaj kryeqytetit. Në njëfarë mënyre, e pazakonta është bërë tashmë pjesë e jetës së përditshme. Sulmi i 18 qershorit ishte një nga sulmet ajrore më të mëdha ndaj rajonit të Moskës që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
Përveç dëmtimeve në rafinerinë e naftës, u goditën edhe qendra tregtare dhe ndërtesa banimi. Sipas guvernatorit të rajonit të Moskës, një vajzë tetëvjeçare humbi jetën në një zjarr të shkaktuar nga një prej sulmeve me dron. “Nuk jam plotësisht i habitur nga ajo që ndodhi”, ka thënë Slava, i cili jeton në një objekt përballë rafinerisë. “Por nuk e prisja një sulm kaq të madh.
Dëgjova shpërthime dhe pashë shumë tym. Ishte diçka që zakonisht e sheh vetëm në filma. E pashë gjithçka nga dritarja e apartamentit tim”. Por për një tjetër banore të zonës, ajo që po ndodh nuk ka asgjë normale. “Na u deshën katër vjet për të fituar Luftën e Dytë Botërore, edhe pse ushtarët tanë kishin pak ushqim dhe ujë”, ka thënë Nadezhda. “Sot kemi të gjitha burimet që na duhen.
Por lufta vazhdon ende. Jam e tronditur”. Zyrtarët rusë akuzojnë rregullisht Perëndimin se po e zgjat luftën në Ukrainë, duke fajësuar udhëheqësit evropianë dhe NATO-n për mbështetjen ndaj Kievit. Megjithatë, të enjten presidenti Vladimir Putin nuk tha asgjë për sulmin me dronë. Edhe lajmet në televizionet ruse i kushtuan pak vëmendje ngjarjes.
Kur gazetat ruse e raportuan historinë të nesërmen, dukej se kishin një mesazh të përbashkët për publikun vendas. “Sulmet tona po i shkaktojnë Ukrainës shumë më tepër dëme sesa sulmet ukrainase po na shkaktojnë neve”, ka shkruar gazeta pro-Kremlinit “Komsomolskaya Pravda”.
“Sulmet tona për çmilitarizimin e Ukrainës janë shumë më të fuqishme dhe më efektive sesa sulmet ukrainase”, ka shkruar tabloidi “Moskovsky Komsomolets”. Një mesazh pothuajse i njëjtë u publikua edhe nga gazeta “Rossiyskaya Gazeta”, e cila ka theksuar se sulmet ruse ndaj objekteve ushtarake ukrainase janë më të fuqishme se ato që Rusia po përjeton.
Edhe e përditshmja ekonomike “Kommersant” ka shprehur të njëjtin qëndrim. Kur Kremlini reagoi më në fund, mesazhi ishte i ngjashëm. “Duhet të shihni më shumë pamje nga qytete të ndryshme të Ukrainës”, ka thënë zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov. “Pamjet e rezultateve të sulmeve të forcave tona të armatosura janë mbresëlënëse. Këto sulme do të vazhdojnë”.
Nuk ka shenja se sulmet ukrainase me dronë ndaj qyteteve ruse e kanë bërë Putinin të ndryshojë qëndrim. Nga deklaratat dhe fjalimet e tij të fundit duket se ai është i vendosur të vazhdojë luftën, duke besuar se Rusia do të dalë fituese në këtë konflikt të gjatë.
Megjithatë, ka shenja se sulmet ukrainase me rreze të gjatë veprimi, veçanërisht ndaj objekteve ruse të naftës, po rrisin presionin mbi ekonominë ruse. Në disa pjesë të vendit janë raportuar mungesa dhe kufizime në furnizimin me karburant, ndërsa çmimet në pikat e shitjes janë rritur. Në këtë realitet të ri, Moska po përgatitet për sulme të tjera.
“Sulmi ukrainas ndaj rajonit të Moskës më 18 qershor nuk do të jetë i fundit, madje as një nga të fundit”, ka shkruar “Moskovsky Komsomolets”.
