Jurgen Klopp ka dalë në mbrojtje të fuqishme të Virgil van Dijk pasi kapiteni i Holandës u kritikua ashpër nga ish-mesfushori holandez Rafael van der Vaart pas ndeshjes ndaj Japonisë në Kupën e Botës 2026. Ish-trajneri i Liverpoolit nuk i kurseu fjalët ndaj Van der Vaart, duke e cilësuar të pabazuar analizën e tij për mbrojtësin qendror, me të cilin punoi për vite me radhë në “Anfield”.
Van Dijk, i cili ishte një nga shtyllat kryesore të Liverpoolit gjatë periudhës më të suksesshme të Kloppit mes viteve 2018 dhe 2024, u vu në qendër të kritikave pas barazimit 2-2 të Holandës ndaj Japonisë në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve.
Debati nisi kur Van der Vaart, në rolin e analistit për televizionin holandez NOS, kritikoi lëvizshmërinë e mbrojtësit dhe mënyrën se si ai kthehej në aksione. “Duhet të jem i sinqertë: u befasova shumë nga Van Dijk. Kur e shikoja, mendoja se kjo nuk duket mirë. Sidomos kur duhej të kthehej. Po e ka shumë të vështirë. Është pak si një Boeing 747 që po përpiqet të kthehet.
Shpresoj që gjatë turneut të fillojë të kthehet pak më shpejt”, kishte deklaruar Van der Vaart. Klopp reagoi menjëherë ndaj këtyre komenteve, duke vënë në dyshim kredibilitetin e ish-futbollistit holandez. “Nuk jam plotësisht i sigurt nëse ia vlen fare të përmendet Rafael van der Vaart.
Por nëse ai ndonjëherë thotë diçka pozitive për ndonjë lojtar, atëherë do të jem i lumtur ta marr seriozisht përsëri”, deklaroi Klopp. Tekniku gjerman shtoi se Van der Vaart ka prirje të fokusohet vetëm te aspektet negative dhe t’i ekzagjerojë ato. “Të krijohet përshtypja se ai sheh diçka dhe pastaj duhet ta formulojë në një mënyrë sa më të bujshme. Në fund del gjithmonë kundër dikujt.
Në atë mënyrë, ajo që thotë nuk ka shumë rëndësi”, përfundoi Klopp. Përplasja verbale ka tërhequr vëmendje të madhe në Holandë, sidomos pasi Van Dijk mbetet një nga liderët kryesorë të “Tulipanëve” në përpjekjen e tyre për të shkuar sa më larg në Kupën e Botës 2026./ Telegrafi
