Ndeshja e xhiros së dytë të Grupit F të Kampionatit Botëror zhvillohet në orët e hershme të mëngjesit (06.00) dhe në letër favoriti është i qartë, Japonia hyn në duel me Tunizinë me epitetin e skuadrës që pritet të marrë tre pikët. Një vlerësim i tillë bazohet jo vetëm në rezultatet e fundit, por edhe në paraqitjet që të dyja ekipet kanë treguar para dhe gjatë Botërorit.
Megjithatë, Tunizia ka vendosur të reagojë pas humbjes së rëndë 5:1 nga Suedia në ndeshjen hapëse. Federata shkarkoi trajnerin Sabri Lamouchi dhe në vend të tij emëroi francezin Hervé Renard, një specialist i njohur për sukseset në turnetë e mëdhenj. Nga ana tjetër, japonezët lanë përshtypje shumë të mira në përballjen me Holandën. Edhe pse nuk fituan, barazimi 2:2 ishte rezultat i mirë.
“Sigurisht që jemi të zhgënjyer që nuk morëm tri pikët. Në të njëjtën kohë, ndeshja me Holandën na tregoi se kur luajmë në nivelin më të lartë, mund të konkurrojmë me këdo dhe të vendosim veten në pozitë për t’i fituar këto ndeshje. Ishte një takim që duhet të na japë besim për vazhdimin e garë s”, deklaroi përzgjedhësi i Japonisë, Hajime Moriyasu.
Historia është gjithashtu në anën e “Samurajve të kaltër”. Japonia dhe Tunizia janë përballur në fazën e grupeve të Botërorit 2002, kur japonezët fituan bindshëm me rezultat 2:0.
