Një mosmarrëveshje për parking në Prishtinë dyshohet se për pak ka përfunduar tragjikisht, pasi konflikti mes disa personave ka eskaluar deri në përdorimin e armës së zjarrit, raporton ekskluzivisht Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi që dyshohet se ka përdorur armën është Adnan Murtezi , i cili pas incidentit është larguar nga vendi i ngjarjes.
Rasti ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës , në rrugën “Zahide Jashari” në Prishtinë, ndërsa viktima është A.B. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshjeje rreth një vendparkingu. 37-vjeçari ka deklaruar para Policisë se gjatë konfliktit është sulmuar nga dy persona, ndërsa në një moment situata ka marrë përmasa shumë më serioze.
Sipas deklarimit të tij, Adnan Murtezi dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri nga vetura dhe ka shtënë një herë në drejtim të 37-vjeçarit. Fatmirësisht, e shtëna nuk e ka goditur 37-vjeçarin. Por incidenti nuk ka përfunduar me kaq.
I dyshuari dyshohet se më pas është afruar dhe e ka goditur viktimën me pjesën e pasme të armës, duke i shkaktuar lëndime trupore. 37-vjeçari ka marrë trajtim mjekësor pas incidentit. Në vendngjarje ndodhej edhe një dëshmitar, i cili është intervistuar nga hetuesit lidhur me rrethanat e rastit.
Ndërkohë, personi që dyshohet se shtiu me armë është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati. Policia ka kryer bastisje në shtëpitë e personave të dyshuar, por gjatë kontrolleve nuk është gjetur diçka e dyshimtë që lidhet me rastin. As arma dhe as gëzhoja nuk janë gjetur, sipas të dhënave fillestare të hetimit.
Në rast figuron si i dyshuar edhe Agron Murtezi rreth 27-vjeçar , i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me udhëzim të të cilit janë iniciuar veprat “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa Adnan Murtezi mbetet në kërkim. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
