Klubi i Çezenës raportohet se i ka hapur rrugë mundësisë së shitjes së Kristian Shpendit, por vetëm me një çmim të duhur që të plotësojë kërkesat ekonomike. Sulmuesi ka shkëlqyer në vitet e fundit duke u kthyer në forcën kryesore të Çezenës në repartin e avancuar dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave.
Megjithatë, raportohet se Çezena tashmë kërkon 4 milionë euro për kartonin e futbollistit, duke e parë këtë si mundësinë e vetme për të siguruar të ardhura të rëndësishme nga shitja e tij meqë ka skuadra të tjera të interesuara ndonëse Palermo u tërhoq nga gara për të.
Mediat italiane raportojnë gjithashtu se nëse nuk sigurohet një transferim brenda kësaj jave, para mbylljes së merkatos së verës, atëherë palët do të ulen në tavolinë për të zgjatur bashkëpunimin mes tyre. Shpendi ka një kontratë deri në qershorin 2028 me ekipin e Çezenës dhe klubi do të dëshironte ta rinovonte atë për një apo dy vite të tjera.
