Ish-ushtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Debe Salihaj, ka rrëfyer për përvojën e saj gjatë luftës, humbjen e motrës së saj, si dhe kujtimin e vëllait të saj, dëshmorit Skënder Salihaj. Ajo ka folur edhe për pasojat e luftës dhe traumën pas saj.
Rrëfimi i saj është bërë më në “Reporting House” në Prishtinë, në kuadër të takimit “Rrathë e Lirisë – Forca që mbeti pas luftës”, ku u diskutua për përvojat e grave që morën pjesë në luftën e Kosovës, kujtesën dhe shëndetin mendor pas luftës. Salihaj tregoi se ishte vetëm 18-vjeçare kur iu bashkua UÇK-së, ndërsa tha se në luftë u përfshinë edhe 10 anëtarë të tjerë të familjes së saj.
“Unë quhem Debe Salihaj, vij prej Komunës së Shtimes. Si 18-vjeçare kam qenë e inkuadruar në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me vëllanë, motrën, djemtë e axhës, vajzën e axhës, domethënë diku 11 anëtarë jemi inkuadruar në vitin 1998.”- tha Salihaj.
Ajo rrëfeu edhe për jetën e familjes së saj para luftës, vështirësitë ekonomike dhe presionin që, sipas saj, familja kishte përjetuar nga institucionet serbe gjatë viteve ’90. Salihaj tregoi se një prej përjetimeve të para të dhunës së drejtpërdrejtë ndaj familjes ishte helmimi i motrës së saj, e cila ishte nxënëse në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prishtinë.
“Për herë të parë me pa një pjesëtar të familjes t’u koqit, t’u mos mund me fol, t’u i dalë gjuha jashtë… shumë e rëndë.”- rrëfeu ajo. Sipas saj, pas largimit të babait nga puna dhe ngjarjeve që prekën familjen, vendimi për t’iu bashkuar UÇK-së erdhi në një kohë kur, siç tha ajo, familja e kishte kuptuar se situata nuk mund të vazhdonte më në atë mënyrë.
Salihaj tregoi emocionet e saj kur për herë të parë veshi uniformën e UÇK-së. “Për herë të parë kur e kam veshur uniformën ka qenë gëzimi më i madh në jetë. Nuk di gëzim më të madh, sinqerisht nuk mundem me e përshkru. Ka qenë një krenari e jashtëzakonshme, një madhështi.”- tha Dibe. Ajo tha se atë kohë, për ushtarët, ëndrra më e madhe ishte liria.
“Kur i ke parë ushtarët edhe djemtë edhe vashat, krejt të rinj, krejt bukur, krejt me ëndrra të mëdha. Po ëndrra më e madhe e tyre, liria, ka qenë diçka e jashtëzakonshme.’’- u shpreh Salihaj. Në takim, Salihaj foli edhe për vëllanë e saj, Skënder Salihajn, i cili ra gjatë luftës.
Ajo e përshkroi atë si një djalë të ri, sportist dhe luftëtar të aftë, duke thënë se kujtimi për të vazhdon të jetë burim krenarie për familjen. “Vëllai im ka qenë edhe student, absolvent i Edukatës Fizike dhe tre provime i ka pasur me përfundu. Ka qenë një djalë i bukur, vërtetë i bukur, i hijshëm, një tip atlet dhe ka qenë edhe luftëtar shumë i mirë.”- tha ajo.
Salihaj tregoi se Skënderi kishte shprehur edhe dëshirën për të dhënë jetën për Kosovën. “Dëshira ime më e madhe është me vdek për Liri.” – citoi ajo vëllanë e saj. Ajo tha se edhe pas 27 vitesh nga përfundimi i luftës, kujtimi për të dhe për dëshmorët e tjerë vazhdon t’i japë forcë.
“Unë krenarinë e tij e kujtoj, jo veç vetëm atë, por çdo dëshmor e kujtoj si forcë, si amanet, madhështi, si amanet. Edhe ajo është ndoshta që neve hala po na mban gjallë edhe po na forcon.”- tha Salihaj. Gjatë këtij takimi, ajofoli për herë të parë publikisht për motrën e saj, Marigonën, e cila, sipas rrëfimit të saj, kishte qenë gjithashtu pjesë e UÇK-së.
Ajo tha se Marigona kishte shërbyer si ushtare e UÇK-së dhe se më pas kishte humbur jetën. “Unë e di me numër të saktë që deri më tani 55 veteranë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje. Në mesin e tyre ka edhe femra, njëra ndër to është edhe në familjen time. Motra ime Marigona, ushtare e UÇK-së.”- tha Salihaj.
Salihaj theksoi se kishte ngritur shqetësimin për shëndetin mendor të veteranëve edhe para se kjo tragjedi të prekte familjen e saj.
“Prandaj unë gjithmonë e kam ngritur zërin, e kam ngritur para se me ndodh rasti te motra ime, sepse kam qenë kryetare e veteranëve për gjashtë vite në Shtime dhe kam parë, kam vërejtur menjëherë se sa ka veterani nevojë për mbështetje psikologjike.”- tha ajo.
Ajo kritikoi mungesën e trajtimit institucional të traumave të luftës, duke thënë se nevojë për mbështetje kanë jo vetëm veteranët, por të gjithë ata që kanë qenë në zonat e luftës. “Secili, ai që ka qenë në zonat e luftës, ka nevojë për trajtim të traumave.
Realisht, në mënyrë të përgjithshme, si institucion nuk kemi pasur, domethënë nuk kemi hala trajtim të traumave të luftës për veteranët.”- tha Salihaj. Në takim u diskutua edhe për pasojat psikologjike që lufta ka lënë te njerëzit që e kanë përjetuar atë. Salihaj tha se aktivizimi në punë, aktivitete fizike dhe angazhime të ndryshme mund të ndihmojnë në përballimin e traumës.
“Aktivizimi, qoftë fizik, qoftë në punë, qoftë me një aktivitet, me një diçka, e shpëton njeriun prej traumës. Jo që s’të kujtohen, jo që s’rikthehen. Kjo ndodh edhe pas shumë viteve.”- tha ajo.
Në diskutim u theksua se pasojat e luftës vazhdojnë të ndihen edhe 27 vjet pas përfundimit të saj dhe se nevojitet trajtim më i madh institucional për shëndetin mendor të veteranëve dhe personave të prekur nga lufta. Salihaj tha se dëshiron që përvoja e saj dhe e familjes së saj të shërbejë edhe për brezat e rinj.
Ajo theksoi se qëllimi duhet të jetë ruajtja dhe dokumentimi i historisë, në mënyrë që brezat e ardhshëm ta njohin atë. Pas luftës, Salihaj ka vazhduar angazhimin në ruajtjen e kujtesës për luftën. Ajo është njëra ndër themelueset e Muzeut të UÇK-së në Shtime dhe ka udhëhequr për vite Organizatën e Veteranëve të Luftës në Shtime.
Takimi “Rrathë e Lirisë – Forca që mbeti pas luftës” u fokusua në luftën, kujtesën, qëndrueshmërinë psikologjike dhe nevojën për kujdes institucional ndaj shëndetit mendor të personave që kanë përjetuar luftën.
