Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po zhvillojnë një takim sot, më . Para se të takohen, kryeministri Kurti u deklarua para gazetarëve se po i vazhdojnë diskutimet për zgjedhjen e presidentit të vendit me vullnet të mirë. Kurti u pa se shoqërohej nga Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po i vazhdojmë diskutimet me vullnet të mirë, ashtu siç jemi marr vesh në mënyrë që vendit bashkaritsht t’ia sjellim emrin për president apo presidente të re, në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja të panevojshme.
Padyshim që do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje ne duhet ta ruajmë edhe konfidencialitetin.”- deklaroi Kurti para se të hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Kur u pyt se a pret marrëveshje sot me LDK-në për çështjen e presidentit, ai u shpreh “Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në mbledhje sot.” Kurti e Abdixhiku u takuan edhe më , për të gjetur një emër konsensual për president të vendit. Pas takimit kanë deklaruar se në takimin e radhës do të flasin në tavolinë me emra konkretë.
Kurse, gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka propozuar Faton Bislimin për president të Republikës së Kosovës.
Walker u ka shkruar letra krerëve të partive politike, Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ardian Gjinit të Aleancës në lidhje me propozimin e tij.
