Ngërçi politik pas 7 qershorit? Halilaj tregon pasojat nëse partitë nuk gjejnë konsensus

0%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve teknikisht është i gatshëm të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, por duhet pritur nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në QNR. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se KQZ do të presë gjithashtu nëse ka ankesa për rinumërimin e përmbyllur më 19 qershor në ora .

Ai shtoi se para shpalljes së rezultateve, KQZ kërkon konfirmim nga PZAP për ndonjë ankesë në shqyrtim. Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja ka fituar 42.96 për qind të votave dhe pritet të ketë 53 ulëse në Kuvendin prej 120 anëtarësh. Ky është numër më i vogël i deputetëve, krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur partia e Kurtit kishte fituar 57 mandate.

Subjekti i dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 21.13 për qind të votave të fituara dhe në legjislaturën e 11-të pritet të ketë 22 deputetë – po aq sa kishte edhe në legjislaturën paraprake. Lidhja Demokratike e Kosovës është forca e tretë me 17.60 për qind apo 18 deputetë – nga 15 deputetë sa kishte në dhjetor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që së voni ka vendosur të njihet si Aleanca – ka fituar 7.16 për qind të votave dhe pritet të ketë shtatë deputetë, apo një më shumë se në dhjetor.

Ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit Nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, sipas rezultatit preliminar, i ka fituar Lista Serbe, që mbështetet nga Beogradi zyrtar. Ndërkaq, një mandat ka fituar partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Nga komunitetet joshumicës serbe, KDTP-ja ka fituar dy mandate dhe nga një kanë fituar koalicioni Vakat, IRDK-ja, SDU-ja, NDS-ja, PSA-ja, PLE-ja, PREBK-ja dhe JGP-ja. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe njëkohësisht kryetar i partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ditë më parë është deklaruar rreth formimit të ri të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.

Kurti u shpreh se fillimisht duhet të përmbyllet procesi zgjedhor, para se të nisin hapat për formimin e institucioneve të reja. Po ashtu, ai tha se pas zgjedhjeve të 7 qershorit, shpreson që opozita të ndryshojë qasje. Shpresoj që kësaj here do të ndryshojë qasja e opozitës”, u shpreh ai.

Madje, ai shtoi se ish-opozita, sipas tij, duhet të ndalë refuzimet që i ofrohen nga Lëvizja Vetëvendosje. “Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, shtoi ai.

Anëtari nga Lëvizja “Guxo”, Gazmend Halilaj, thotë për “Bota sot”, se partitë e tjera të tregojnë gatishmëri për të kontribuar në formimin e institucioneve funksionale dhe më vonë edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Para situatës aktuale politike, partia opozitare që ka më së shumti gjasa të bëjë kompromis për bashkëpunim institucional me Lëvizjen Vetëvendosje mbetet ajo forcë që vendos interesin shtetëror mbi kalkulimet afatshkurtra partiake.

Duke pasur parasysh se LVV ka dalë forca më e madhe politike dhe ka marrë besimin më të madh qytetar, është e arsyeshme që partitë e tjera të tregojnë gatishmëri për të kontribuar në formimin e institucioneve funksionale dhe më vonë edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit” , shprehet Halilaj.

Sipas tij, nëse partitë politike vazhdojnë të mos gjejnë konsensus vendi mund të përballet me disa skenarë të padëshirueshëm. “Në demokraci, respektimi i vullnetit qytetar dhe krijimi i stabilitetit institucional duhet të jenë prioritete të përbashkëta.

Nëse partitë politike vazhdojnë të mos gjejnë konsensus, vendi mund të përballet me disa skenarë të padëshirueshëm, duke përfshirë zgjatjen e bllokadës institucionale, vonesa në vendimmarrje dhe pengesa në proceset e rëndësishme shtetërore”, deklaron anëtari. Ekziston rreziku që Kosova të futet në një cikël të ri zgjedhor, nëse mungon vullneti për kompromis institucional, thotë Halilaj.

“Një situatë e tillë do të ndikonte negativisht në zbatimin e reformave, në zhvillimin ekonomik dhe në avancimin e agjendës ndërkombëtare të Kosovës. Për këtë arsye, përgjegjësia për të gjetur gjuhë të përbashkët nuk bie vetëm mbi pozitën, por mbi të gjitha subjektet politike që përfaqësojnë qytetarët.

Ekziston gjithashtu rreziku që Kosova të futet në një cikël të ri zgjedhor nëse mungon vullneti për kompromis institucional. Zgjedhjet e reja do të kërkonin kohë, mjete financiare dhe do të krijonin pasiguri politike në një moment kur vendi ka nevojë për stabilitet dhe përqendrim në sfidat ekonomike dhe sociale”, thekson Halilaj.

Mbetet për t’u parë nëse partitë politike kanë reflektuar mjaftueshëm, shton Halilaj, gjersa ripërsërit rrezikun që i njëjti skenar të përsëritet edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit nëse interesat partiake vazhdojnë të mbizotërojnë ndaj interesit shtetëror.

“Për më tepër, një proces i ri zgjedhor nuk garanton domosdoshmërisht një rezultat ndryshe, prandaj shumë qytetarë me të drejtë presin që partitë të gjejnë zgjidhje brenda institucioneve ekzistuese. Sa i përket mësimeve nga ngërçi i fundit institucional, mbetet për t’u parë nëse partitë politike kanë reflektuar mjaftueshëm.

Megjithatë, ekziston rreziku që i njëjti skenar të përsëritet edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit nëse interesat partiake vazhdojnë të mbizotërojnë ndaj interesit shtetëror. Në këtë kontekst, LVV ka argumentuar vazhdimisht se institucionet duhet të ndërtohen mbi bazën e legjitimitetit demokratik dhe respektimit të rezultatit zgjedhor.

Prandaj, përgjegjësia kryesore e spektrit politik është të shmangë bllokadat dhe të sigurojë funksionimin normal të institucioneve, duke dëshmuar pjekuri politike dhe përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës” , përfundon anëtari nga Lëvizja “Guxo”.

Burimi: Bota Sot