Një vit i jashtëzakonshëm në aspektin personal – Kenan Haxhihamza largohet nga Drenica

0%

Portieri rahovecian, Kenan Haxhihamza, ka mbetur futbollist i lirë pas përfundimit të kontratës me Drenicën, duke mbyllur një sezon fantastik në aspektin personal. 29-vjeçari ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës drenicase, duke qenë protagonist me pritje vendimtare gjatë gjithë sezonit. Kontributi i tij ishte jetik në arritjen e objektivit të klubit, pasi Drenica arriti t’i shmangej barazhit vetëm në xhiron e fundit të kampionatit. Falë paraqitjeve të shkëlqyera, Haxhihamza u përfshi disa herë në Formacionin e Javës dhe u shpall edhe “Ylli i Javës”, duke konfirmuar formën e lartë që tregoi gjatë gjithë edicionit. Me një karrierë të pasur në futbollin kosovar, ku ka veshur fanellat e Gjilanit, Ballkanit, Dukagjinit dhe së fundmi Drenicës, gardiani me përvojë pritet të jetë një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve. Kështu, Drenica humbet njërin prej futbollistëve më të rëndësishëm të sezonit të kaluar, ndërsa mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës në karrierën e Kenan Haxhihamzës.

Burimi: Bota Sot