Ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Florian Qehaja, ka deklaruar se ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, po bëhet pas një pune të gjatë avokimi. Në një deklarim për median, Qehaja u shpreh se kjo autostradë do të lidhë qytetarët e Kosovës me korridorin 8. “Një ndër caqet kryesore të bashkëpunimit tonë, ai i ndërlidhjes dhe mobilitetit, sot po përurohet.
Më konkretisht, pas shumë viteve angazhime, avokime dhe lobime edhe nga ana jonë, sot po e përurojmë fillimin e punimeve për autostradën Shkup-Bllacë. Autostrada do të lidhet me fundin e autostradës “Arbën Xhaferi”, dhe do të lidhë qytetarët e Kosovës me korridorin tetë… ” tha Qehaja.
Tutje, ai tha se ky është një segment shumë i rëndësishëm i autostradës dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve.
