Shpërndaje në: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që gjatë ditës së sotme, e mërkurë, të përmbyllë numërimin e të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Gjatë ditës së sotme, pritet të numërohen tetë kutitë e mbetura, në të cilat janë sistemuar fletëvotimet nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta. Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. “Gjatë ditës së sotme, më konkretisht në ditën e 10 pas ditës së zgjedhjeve, KQZ do të përmbyllë aktivitetet paszgjedhore, të cilat, KQZ i zhvillon për të ardhur deri tek rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të numërohet pjesa e mbetur e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta”, ka thënë ai. Ndërkaq, KQZ-ja mëngjesin e së mërkurës ka përditësuar të dhënat nga procesi i numërimit në QNR. Sipas këtyre të dhënave, nga 223 kuti votimi në të cilat janë sistemuar fletëvotimet nga votimi me postë janë numëruar 215 dhe 8 të tjera do të numërohen gjatë ditës. Njëkohësisht, KQZ-ja ka filluar me numërimin e fletëvotimeve nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht, ku janë evidentuar 8,751 votues. Po ashtu, ka filluar edhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i realizuar jashtë vendvotimeve, ku për këtë lloj votimi kanë qenë të regjistruar 3,144 votues./ksp
