Shpërndaje në: Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i është përgjigjur presidentit amerikan Donald Trump në media sociale, pasi ai e vuri në pikëpyetje famën e saj dhe përsëriti pretendimin se Meloni i ka kërkuar vazhdimisht foto bashkë. Trumpi tha të shtunën se kryeministrja italiane “është keq në Itali me nivelin e saj të popullaritetit”.
Ai po ashtu e akuzoi se nuk i ka mbështetur përpjekjet e SHBA-së për “ta parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore”. Në përgjigje, Meloni ka thënë se “sulmet e vazhdueshme dhe të paprovokuara” të Trumpit “janë të pakuptimta”. “Sa i përket popullaritetit tim, të qenit mike e juaja sigurisht që nuk më ka ndihmuar. E as nuk varet nga raporti im me ju.
Popullariteti im s’ka pse ju shqetëson. Ju sugjeroj të merreni me popullaritetin tuaj”, ka thënë ajo në një përgjigje në Instagram. Më herët gjatë ditës, Trumpi e akuzoi Melonin se ka “shkaktuar shqetësim logjistik” kur ndaloi SHBA-në që t’i përdorte bazat ajrore italiane për operacionet amerikane në Iran.
E Meloni u përgjigj se përdorimi i këtyre bazave bëhet vetëm me marrëveshje “të cilat Italia gjithmonë i ka respektuar”. Vetëm një ditë më parë, Meloni u shpreh e shokuar nga deklarata e Trumpit se ajo e ka përgjëruar për një foto gjatë takimit të G7-s në Francë këtë javë. Dy liderët kanë këmbyer thumba qëkur Italia nuk i dha mbështetje Trumpit në Iran.
