​LVV dorëzon materiale të reja në hetuesi: Tregohen shkeljet ligjore

0%

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë dorëzuar në hetuesinë e Policisë së Kosovës dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit disa materiale që, sipas tyre, tregojnë manipulimet me legalizimet në kryeqytet.

Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, tha se në materialet e reja që kanë pranuar nga një sinjalizues përmenden emrat e zyrtarëve dhe bizneseve që, sipas tij, tregojnë për shkeljet ligjore gjatë procesit të legalizimit.

Sveçla: Materialet e reja tregojnë për shkeljet ligjore për çështjet e legalizimeve në kryeqytet “Sot pranë hetuesisë kemi dorëzuar disa materiale që i kemi marrë nga një sinjalizues anonim, që prezantohet si punëtor i komunës. Materialet kanë të bëjnë me çështjen tashmë të përfolur të skandalit të legalizimit të paligjshëm që ka ndodhur në Komunën e Prishtinës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Konkretisht, tashmë tregohet qartë, përmenden emrat e bizneseve, emrat e zyrtarëve dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur gjatë këtij procesi të legalizimit.

Siç e dini, legalizimi është i rregulluar me ligj në Kosovë, ndërkohë objektet që janë legalizuar kanë deficite të ndryshme ligjore, duke filluar nga ato që një pjesë e tyre janë në pronë publike, pastaj kemi raste të tjera ku objektet janë ndërtuar pas vitit 2018, kur ka hyrë në fuqi ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje”, tha ai.

Sipas Sveçlës, në këto materiale, përveç çështjes së legalizimit, ka edhe një varg pretendimesh për shkelje të ndryshme ligjore në kryeqytet. Ai përmend disa transfere të mëdha bankare që kanë ndodhur nga Kosova në Angli, ku pretendon se autoritetet britanike dhe Prokuroria e Shtetit në Kosovë kanë filluar hetimet.

Sveçla: Kanë ndodhur transfere të mëdha bankare nga Kosova në Angli “Po ashtu, ky email, përveç çështjes së legalizimeve, përmban edhe një varg pretendimesh të tjera, të cilat, sipas sinjalizuesit, gjithmonë kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës, që kanë të bëjnë me shkelje të ndryshme ligjore.

Duke filluar nga transfere të shumave të mëdha që kanë ndodhur nga Kosova në Angli, sipas pretenduesit autoritetet britanike i kanë filluar hetimet dhe e njëjta thuhet edhe për Prokurorinë e Shtetit dhe kjo iu mbetet juve ta vërtetoni”, shtoi Sveçla. Sipas tij, kur keqmenaxhimit në kryeqytet i shtohen edhe dëmet financiare, tregon se Prishtina po plaçkitet.

Sveçla: Prishtina po plaçkitet “ Skandalin e legalizimit nuk mund ta ndajmë nga raporti i auditimit për vitin 2025, ku përmenden keqpërdorime milionëshe të buxhetit. Ne nuk mund ta ndajmë skandalin e legalizimit as nga Ndërmarrja Publike Banesore, ku është caktuar 32 milionë euro gjoba që kjo ndërmarrje duhet t’ua paguajë disa operatorëve ekonomikë-privatë.

Kemi parë Përparim Ramën që bën dy-tri statuse në rrjete sociale, por akoma nuk e ka thënë një fjalë të vetme për këtë çështje… Kur keqmenaxhimit i shtohen edhe dëmet financiare, lirisht mund të themi që po bëhet plaçkitje. Prishtina po plaçkitet.

Po plaçkitet e sotmja e Prishtinës, duke i marrë mjetet financiare, duke marrë paratë nga buxheti dhe e ardhmja e qytetarëve për shkak të kushteve dhe cilësisë së jetës që po zhvillohet”, përfundoi ai. Grupi i asamblistëve të LVV-së kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale edhe më 30 korrik për çështjen e legalizimeve në kryeqytet.

Burimi: Bota Sot