Aktori i njohur turk, Murat Yildirim dhe bashkëshortja e tij, aktorja marokene dhe ish-Miss Iman Elbani, janë bërë prindër për herë të dytë. Çifti e ndau lajmin e gëzueshëm me ndjekësit në rrjetet sociale, duke publikuar një fotografi ku shfaqen të buzëqeshur, ndërsa mbajnë në krahë djalin e tyre të porsalindur. “Mirë se erdhe në botë, djali ynë Kerem.
Falë mëshirës dhe ndihmës së Zotit, u bekuam me një djalë të cilit i dhamë emrin Kerem. Lusim Zotin që ai të jetë gëzim dhe ngushëllim për sytë dhe zemrat tona, dashtë Zoti”, shkruan çifti në postimin e tyre. Lajmi i ka gëzuar shumë fansat e çiftit, të cilët prej vitesh ndjekin historinë e tyre të dashurisë dhe jetën familjare. Murat dhe Iman janë të martuar që nga viti 2016.
Marrëdhënia e tyre ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e publikut, veçanërisht për faktin se vijnë nga vende të ndryshme, por kanë ndërtuar së bashku jetën e tyre në Turqi. Çifti tashmë ka edhe një vajzë, Miray, e cila lindi në tetor të vitit 2022. Tani, rreth katër vjet pas lindjes së vajzës së tyre, familja është zgjeruar me një tjetër anëtar.
