Mbetjet e 23 personave në Zubin Potok, ekspertët kërkojnë të zbardhet

0%

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar të hënën rezultatet e gërmimeve në tri lokacione në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave. Sipas kryesuesit të Komisionit, Agron Limani, 13 persona janë gjetur në lokacionin e parë në Kalludër, katër në Jabukë dhe gjashtë në lokacionin e tretë në Kalludër.

Puna në terren ka zgjatur rreth katër javë dhe është zhvilluar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, së bashku me ekspertët e EULEX-it, Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.

Përfaqësuesi i Komisionit, Kushtrim Gara, tha se hetimet janë fokusuar edhe në rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve” – 23 shqiptarë nga Mitrovica dhe Skenderaj, të cilët dyshohet se u rrëmbyen dhe u zhdukën më në zonën mes Drenit, Kalludrës dhe Jabukës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gara tha se gjetjet në terren mund të lidhen me këtë rast, por identifikimi individual i viktimave ende duhet të konfirmohet përmes analizave të ADN-së. Procesi i ekzaminimit dhe identifikimit të mbetjeve mortore do të vazhdojë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në tri lokacione në Kalludër dhe Jabukë janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore të së paku 23 personave. Sipas Kurtit, 13 persona janë gjetur në lokacionin e parë në Kalludër, katër në Jabukë dhe gjashtë në lokacionin e tretë në Kalludër. Ai bëri të ditur se tashmë ka nisur faza e identifikimit.

Mostrat e mbetjeve të gjetura në Jabukë janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për pjesën tjetër po vazhdojnë ekzaminimet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Kurti tha se numri prej 23 personash përkon me atë që njihet si “Grupi i Intelektualëve”, të cilët më dyshohet se u ndaluan, u rrëmbyen dhe u vranë nga forcat serbe.

Megjithatë, ai theksoi se identifikimi i plotë mund të zgjasë edhe disa muaj, ndaj vetëm pas përfundimit të analizave do të mund të përcaktohet me saktësi identiteti i viktimave. Kurti u shpreh se pritja e gjatë dhe ankthi i familjeve të personave të zhdukur janë “të papërshkrueshme”, duke kërkuar njëkohësisht zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe drejtësi.

Ai akuzoi Serbinë se po refuzon të hapë arkivat shtetërore që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Beogradit për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar në Bruksel më .

Kryeministri në detyrë kërkoi veçanërisht hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, dosja e së cilës është klasifikuar për 30 vjet. Rëndësia, zinxhiri i përgjegjësisë dhe shfrytëzim presioni ndaj Serbisë Nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj zbulimin e mbetjeve e konsideron shumë të rëndësishëm.

Rëndësia e këtij zbulimi nuk përfundon me identifikimin, thotë Blakaj. Sipas tij, varrezat masive janë edhe vende të krimit. Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj “Ky është një zbulim jashtëzakonisht i rëndësishëm, para së gjithash për familjet, të cilat prej më shumë se 27 vjetësh presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre.

Identifikimi eventual do t’u japë fund pasigurisë dhe do t’u mundësojë familjeve t’i varrosin me dinjitet. Megjithatë, rëndësia e këtij zbulimi nuk përfundon me identifikimin. Varrezat masive janë edhe vende të krimit.

Pozita e mbetjeve, dëmtimet në eshtra, sendet personale, municioni dhe materialet e tjera mund të ndihmojnë në përcaktimin e mënyrës së vrasjes, kohës së varrimit dhe personave apo strukturave që kanë marrë pjesë në krim dhe në fshehjen e tij.

Rasti është veçanërisht domethënës sepse informacioni për vrasjen dhe vendin e mundshëm të varrimit u ishte dhënë UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës që në vitin 2003. Prandaj, krahas zbardhjes së krimit, duhet të sqarohet edhe pse u deshën më shumë se dy dekada që informacioni të verifikohej në terren” , deklaron Blakaj për “Bota sot”.

Hetimi duhet të përfshijë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë, thotë Blakaj. “Po mund të shërbejë ky zbulim si pikënisje për një hetim më të gjerë mbi mënyrën se si janë fshehur dhe zhvendosur trupat e viktimave pas luftës , por hetimi duhet të mbështetet në prova dhe të mos kufizohet vetëm te individët që mund të kenë kryer vrasjet.

Ai duhet të përfshijë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë: kush i ndaloi viktimat, kush urdhëroi dhe kreu vrasjen, kush organizoi varrimin, cilat struktura policore ose ushtarake kishin dijeni dhe kush pengoi zbulimin e vendit.

Sipas një komunikate të publikuar nga FDH dhe FDHK, policia serbe ishte njoftuar për vrasjen që më dhe, në vend që ta hetonte krimin, kishte urdhëruar varrosjen e viktimave. Kjo e bën fshehjen e trupave pjesë të vetë krimit dhe jo thjesht një veprim të mëvonshëm.

Duhet, megjithatë, të bëhet dallim ndërmjet fshehjes fillestare të trupave gjatë luftës dhe zhvendosjes së mundshme të tyre më vonë. Në këtë fazë nuk duhet deklaruar si fakt se trupat janë zhvendosur pas luftës, pa u vërtetuar kjo nga ekspertiza mjekoligjore dhe hetimi penal.

Duhet të shqyrtohet edhe mundësia që shpërndarja e mbetjeve të jetë shkaktuar nga terreni dhe rrjedha e ujit”, shprehet Blakaj. Sipas Blakajt, Kosova duhet të shfrytëzojë këtë rast për të rritur presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave, gjetjen e lokacioneve të tjera dhe marrjen e përgjegjësisë për krimet.

Ai thekson se kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të deklaratave politike “Po Kosova ta shfrytëzojë këtë rast për të rritur presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave, gjetjen e lokacioneve të tjera dhe marrjen e përgjegjësisë për krimet. Ky rast dëshmon se informacioni për varrezat ekziston dhe se, kur ai trajtohet seriozisht, mund të sjellë rezultate konkrete.

Kosova duhet të kërkojë nga Serbia hapjen e plotë të arkivave të ushtrisë, policisë dhe strukturave të tjera që kanë vepruar në Kosovë, përfshirë regjistrat operativë, ditarët e luftës, raportet e njësive, urdhrat, hartat dhe dokumentet mbi transportimin e trupave. Kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të deklaratave politike.

Kosova duhet të kërkojë që hapja e arkivave dhe verifikimi i lokacioneve të dyshuara të vendosen si detyrime konkrete dhe të matshme në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Përgjegjësia e Serbisë nuk kufizohet vetëm te dorëzimi i dokumenteve. Institucionet e saj duhet të hetojnë dhe ndjekin penalisht personat që kanë marrë pjesë në vrasje, zhvendosje apo fshehje të trupave.

Arrestimi ose frikësimi i dëshmitarëve që kanë dhënë informacione për krimet vetëm e thellon kulturën e pandëshkueshmërisë”, nënvizon Blakaj. I pyetur nëse institucionet e Kosovës pas këtij zbulimi: të fokusohen në identifikimin e viktimave, në hetimin e autorëve apo në kërkimin e përgjegjësisë ndërkombëtare, Blakaj shrehet se proceset duhet të zhvillohen paralelisht të trija.

Sipas tij, duhet kërkuar edhe bashkëpunim ndërkombëtar. “Këto nuk janë alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën. Institucionet duhet t’i zhvillojnë paralelisht të tria proceset: Të përfundojnë me kujdes ekspertizën mjekoligjore dhe identifikimin përmes ADN-së, duke i informuar familjet para se identitetet të bëhen publike.

Ta trajtojnë çdo lokacion si vend krimi, duke ruajtur provat, dokumentuar kontekstin e gjetjes dhe garantuar zinxhirin e ruajtjes së materialeve. Të zhvillojnë hetim të pavarur penal ndaj ekzekutorëve, urdhërdhënësve, eprorëve dhe personave që kanë ndihmuar në fshehjen e trupave.

Të hetojnë pse informacioni i dhënë që në vitin 2003 nuk rezultoi me kërkim efektiv dhe nëse ka pasur neglizhencë, pengim apo dështim institucional. Të kërkojnë bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe qasje në arkivat e Serbisë. Prioriteti i menjëhershëm duhet të jetë identifikimi, por identifikimi pa drejtësi do të ishte një proces i papërfunduar.

Familjet kanë të drejtë jo vetëm t’i marrin mbetjet e të afërmve, por edhe të dinë se kush i vrau, kush i fshehu dhe pse institucionet nuk vepruan për më shumë se dy dekada e gjysmë”, përfundon Blakaj. Egërsia e serbëve, kërkesa për zbardhje të krimeve Ndërsa, ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, konsideron se varreza masive tregon egërsinë dhe urrejtjen e pushtuesit serb ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të padisë shtetin serb. Ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari “ Gjetja e varrezës masive në veri tregon qartë egërsinë dhe urrejtjen e pushtuesit serb ndaj shqiptarëve. Ata viktima ishin civilë, nuk kishin as armë, as uniforma, por iknin nga Kosova për në Mal të Zi.

Mirë është që sot do të varrosen dhe familjarët e tyre do të kenë një varr për të dashurit e tyre, 27 vite pas luftës. Dhimbje e madhe. Sa i përket shtetit tonë, ky shtet duhet ta padisë shtetin serb, jo qytetarët serbë, për gjenocid dhe masakra të shumta, dhe përgjegjësit duhet t’i ndjekë pa ndalim, ashtu siç janë ndjekur kriminelët nazistë nga Mosadi, shërbimi sekret i Izraelit.

Të mos harrojmë, vetëm kohëve të fundit po ndiqen me ligj kriminelët serbë, se deri kohëve të fundit janë dënuar 5 serbë e shqiptarë për krime lufte kundër civilëve shqiptarë, pas qeverive të korruptuara, Thaçi e Mustafa, i kanë falur kriminelët serbë, sidomos në veri, dhe shumë kriminelë e dhunues serbë janë futur në Policinë e Kosovës dhe organizata, ku, përveç që i shërbenin 100% Serbisë, me paga i paguante shteti i Kosovës.

Dhe kjo tregon se vetëm kohëve të fundit po ndiqen kriminelët e luftës. Së shpejti pritet edhe gjykimi në mungesë i gjeneralit serb që mori pjesë dhe udhëhoqi forcat serbe në masakrat e Prekazit dhe Reçakut, Goran Radosavljeviç Gurit” , deklaron Miftari për “Bota sot”. Shteti dhe organet e drejtësisë, sipas Miftarit, nuk duhet të ndalojnë kurrë së gjurmuari krimet e luftës.

“Krimet e luftës, pa marrë parasysh a janë kriminelët e luftës serbë apo shqiptarë, nuk duhet të amnistohen, por të ndiqen deri në gjykimin ose vrasjen e tyre në raste ekstreme. Shteti dhe organet e drejtësisë nuk duhet të ndalojnë kurrë së gjurmuari krimet e luftës, pa marrë parasysh a është viktima shqiptar ose i takon pakicave të tjera.

Krimi është krim, edhe pse dihet se mbi 99% e krimeve në Kosovë i ka bërë Serbia përmes ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare serbe. Po t’i ndiqnin me kohë kriminelët serbë, sidomos në veri, bëhuni të bindur se nuk do të vinte fare puna të na vriteshin policët heronj të Kosovës, Enver Zymberi dhe, së fundmi, polici hero Afrim Bunjaku.

Gjer sot, pos qeverisë së fundit, që në veri ka bërë hapa gjigantë dhe në sundimin e ligjit, të gjitha qeveritë dhe pushtetet e Kosovës, që pos të korruptuara, kanë bashkëqeverisur me kriminelët serbë të luftës dhe të pasluftës” , përfundon Miftari.

Burimi: Bota Sot