“Dosja Sheholli” – Serbia po synon destabilizimin e Kosovës

0%

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimet për “Spiunazh” dhe “Shantazh” . Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, tha se diskutimi për veprimtarinë agjenturore të Serbisë nuk duhet të kufizohet vetëm te rasti Sheholli, pasi, sipas tij, në Kosovë tashmë janë konfirmuar disa raste të spiunazhit, duke përfshirë edhe raste që kanë përfunduar me vendime të formës së prerë.

Fetoshi vlerësoi se informacionet e publikuara lidhur me rastin Sheholli, tregojnë për një angazhim të strukturave shtetërore të Serbisë dhe të BIA-s në operacione të ndikimit brenda Kosovës, të cilat ai i ndërlidhi me atë që Instituti Octopus e përshkruan si strategji hibride të Serbisë ndaj Kosovës.

“Ajo që pamë sot, të raportuar nga mediat, për rastin e Shehollit, e shpërfaq qartazi angazhimin me interes të veçantë të strukturave shtetërore të Serbisë, të mbështetura në mënyrë ekzekutive nga BIA, për operacione të ndikimit brenda Kosovës”, tha ai Sipas Fetoshit, këto strategji synojnë destabilizimin e vendit, thellimin e polarizimit shoqëror dhe politik dhe rritjen e mosbesimit ndaj institucioneve të Kosovës, ndërsa ai përmendi edhe pretendimet për përdorimin e narrativave që lidhen me radikalizmin fetar dhe paraqitjen e Kosovës si një vend me ekstremizëm islamik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Këto konsistojnë në destabilizimin e vendit tonë, në thellimin e polarizimit në vendin tonë, në rritjen e mosbesimit ndaj institucioneve të vendit tonë” , tha ai.

Ai theksoi se luftimi i spiunazhit është një proces kompleks dhe se rastet e fundit, sipas tij, dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet AKI-së, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit, ndërsa paralajmëroi se rastet e identifikuara mund të jenë vetëm një pjesë e një fenomeni më të gjerë.

“Kosova me këto raste tashmë ka dëshmuar kapacitete për të neutralizuar kërcënimin që vjen nga rrjetet e spiunazhit” , tha ai.

Në anën tjetër, politologu Dorajet Imeri tha se ngritja e aktakuzës ndaj Shehollit tregon se institucionet e drejtësisë e kanë trajtuar rastin në mënyrë profesionale, ndërsa theksoi se Kosova vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj përpjekjeve të Serbisë për të ndikuar në zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit.

Imeri tha se ndikimi i mundshëm i Serbisë nuk kufizohet vetëm në aspektin e sigurisë, por prek edhe mënyrën se si ndërtohet imazhi i Kosovës, pozicioni i saj në arenën ndërkombëtare, stabiliteti i brendshëm politik dhe qëndrueshmëria e institucioneve.

“Sa e ekspozuar është Kosova në raport me Serbinë dhe sa shumë stresuese është përpjekja e Serbisë për të penguar të gjitha proceset politike, shoqërore dhe ekonomike që ka vendi ynë.”, shtoi ai.

Imeri e vlerësoi si inkurajues faktin që institucionet e sigurisë kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë persona të dyshuar për spiunazh, duke e cilësuar bashkëpunimin ndërmjet Policisë, AKI-së dhe Prokurorisë si të domosdoshëm për trajtimin e rasteve të tilla, por njëkohësisht theksoi se për rastin konkret duhet pritur vendimi i gjykatës.

Hulumtuesi i Hibrid.info, Festim Rizanaj, u fokusua në ndikimin e narrativave dhe propagandës serbe, duke thënë se polarizimi politik dhe shoqëror në Kosovë krijon hapësirë që narrativa të ndryshme të përdoren edhe në përplasjet e brendshme politike dhe ideologjike.

“Ky polarizim shoqëror edhe politik po e krijon një lloj vakumi që, deshe apo s’deshe, pa ndonjë qëllim të caktuar, edhe dikush tjetër po i përdor këto narrativa për ta sulmuar kundërshtarin e vet politik të brendshëm”, tha ai.

Rizanaj tha se propaganda serbe ka një vazhdimësi të caktuar dhe se narrativat e saj shpesh lidhen me zhvillime konkrete në Kosovë, veçanërisht me çështjet e komunitetit serb, pretendimet për sulme ndaj trashëgimisë fetare dhe narrativat për radikalizmin islam.

Sipas Rizanajt, një pjesë e këtyre narrativave synojnë ta paraqesin komunitetin serb në Kosovë si viktimë dhe më pas këtë perceptim ta përdorin në arenën ndërkombëtare për të ndikuar në mënyrën se si trajtohet Kosova.

“Këto janë ato elementet kryesore nëpërmjet të cilave Serbia mundohet me paraqit komunitetin serb këtu si viktimë, këtë me shit në gjeopolitikë, në arenën ndërkombëtare” , u shpreh ai.

Ndërsa publicisti Sadik Zeqiri foli për të kaluarën e Fatmir Shehollit dhe pretendimet për lidhjet e tij me shërbimet inteligjente serbe, duke thënë se bëhet fjalë për një person që ka pasur kontakte dhe bashkëpunim me struktura serbe para dhe gjatë luftës në Kosovë. “Ai e ka pranuar vetë që ka qenë pjesë e shërbimeve inteligjente të Serbisë, gjatë dhe para luftës në Kosovë” , tha Zeqiri.

Ai tha gjithashtu se Sheholli ka bashkëpunuar me BIA-n serbe dhe se ka qenë i angazhuar në institucione të ndryshme ku kanë pasur rol partitë serbe.

Burimi: Bota Sot