ZKA: Përdorimi i ‘tenderit ekonomikisht më të favorshëm’ nuk ka qenë

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës, “Efektiviteti në përdorimin e kriterit ‘tenderi ekonomikisht më i favorshëm’ për dhënie të kontratës në prokurim publik”, i cili ka vlerësuar aktivitetet e prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës si dhe ato të Komunës së Pejës dhe të Suharekës për periudhën 2023-2025.

Nga rezultatet e këtij auditimi ka dalë se përdorimi i kriterit “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, nuk ka qenë efektiv dhe nuk ka sjellë ndryshime pozitive në rezultatet e prokurimit publik. “Ministria dhe komunat e audituara e kanë përdorur këtë kriter kryesisht në mënyrë formale, pa analiza dhe arsyetime të mjaftueshme dhe pa vlerësuar efektet e tij.

Nga gjashtë aktivitetet e prokurimit të audituara, tri ishin zhvilluar me kriterin “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, ndërsa tri me kriterin “çmimi më i ulët”- thuhet në njoftimin e ZKA-së. Në këtë njoftim, thuhet gjithashtu se procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në përdorimin e të dy lloje të tenderimit sepse nuk është kryer planifikim i duhur para inicimit të procedurave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Nuk janë kryer analiza të duhura të nevojave, ekzaminime të mjaftueshme në terren dhe dokumentim adekuat. Vetëm një nga gjashtë kontratat e audituara kishte projekt kryesor, ndërsa matje gjeodezike paraprake nuk kishte në asnjërin rast.

Mangësi janë identifikuar edhe në hulumtimin e tregut dhe përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratave, ndërsa çmimet e ofertave ndryshonin në substancë nga vlera e parashikuar”- thuhet tutje në njoftim. Nga ky auditim i ZKA-së janë konstatuar edhe mangësi në procesin e vlerësimit të ofertave dhe në trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.

“Në dy raste janë shpërblyer operatorë ekonomik që nuk i kanë përmbushur plotësisht kërkesat e dosjes së tenderit. Sipas auditimit në tri raste do të mund të kurseheshin së paku 42 mijë euro.

Po ashtu në menaxhimin e kontratave nuk kishte monitorim aktiv dhe menaxhim të duhur të sigurisë së ekzekutimit, gjë që kishte rezultuar me ndryshime të sasive, vonesa dhe rreziqe në realizimin e kontratave”- thuhet në njoftimin e ZKA.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se kriteri “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm” duhet të mbështetet në analiza reale të nevojave dhe kritere që marrin parasysh cilësinë dhe dobinë në afat më të gjatë. “Vetëm ndryshimi formal i kriterit të dhënies së kontratës nuk mund të sigurojë vlerën më të mirë për paranë publike”- tha ajo.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti në përdorimin e kriterit ‘tenderi ekonomikisht më i favorshëm’ për dhënie të kontratës në prokurim publik” e gjeni KËTU .

Burimi: Kallxo