Mbledhja e qeverisë, reagon Teliti: Sa ulen atje, të pinë verë e të

0%

I ftuar në nje studio televizive, nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorjan Teliti u shpreh se qeverisja Rama ka dështuar në uljen e varfërisë dhe në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Teliti deklaroi se në 13 vite nuk është fuqizuar asnjë sektor që mund të shërbejë si shtyllë e qëndrueshme e ekonomisë, duke përmendur industrinë prodhuese dhe bujqësinë, të cilat ndodhen prej vitesh në recesion.

Edhe turizmi, tha Teliti nuk ka sjellë impaktin ekonomik të pretenduar, ndërsa kritikoi qeverinë për mungesën e një politike të qartë për fuqizimin e sipërmarrjes dhe prodhimit vendas. Teliti akuzoi gjithashtu qeverinë për shpërdorim të fondeve publike dhe kërkoi që buxheti të orientohet drejt arsimit, shëndetësisë dhe shtresave në nevojë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai theksoi se një e treta e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore dhe se varfëria duhet luftuar përmes rritjes së prodhimit, punësimit dhe produktivitetit.

Teliti tha se shpopullimi dhe largimi i të rinjve janë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së perspektivës ekonomike, ndërsa opozita, në rast qeverisjeje, do të vendosë si prioritet fuqizimin e sektorëve të ekonomisë dhe minimumin jetik. Pjesë nga intervista: Prioriteti është tek interesat personale.

Po që puna për interes personal, për ndonjë qejf, për ndonjë kapriço, bëhen VKM-të apo bëhen aktet normative brenda 24 minutave. Ndërkohë kemi 13 vite që varfëria ka patur dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Ajo që bën një qeverisje e përgjegjshme është reduktimi i varfërisë vit pas viti. Si bëhet reduktimi i varfërisë? S’bëhet me një të rënë të lapsit, thjesht duke dhënë tre para më tepër.

Jo, nuk mjafton vetëm aq. Bëhet duke zhvilluar ekonominë e vendit, duke fuqizuar aktorët e tregut, të cilët më pas fuqizojnë dhe arkën e shtetit, ku vetë qeverisja bën rishpërndarjen e fondeve buxhetore duke adresuar problematikat e varfërisë. Tani, në këto 13 vite, më thoni dhe mua, dhe i thotë çdo qytetar që po na ndjek: cila është shtylla zhvillimore e Shqipërisë?

Është industria prodhuese? Jo, në recesion prej 4 vitesh. Është bujqësia? Jo, në recesion prej 4 vitesh. Është turizmi? Edhe vetë turizmin që e shohim shumë mirë, shyqyr që na vijnë këta të huajt në Shqipëri, por nuk është një turizëm elitar, nuk është turizëm që sjell shumë të ardhura, sjell pak të ardhura.

Dhe, me thënë të drejtën, edhe këta turistë që vijnë kanë koston e tyre të tërthortë, në thonjëza, për ekonominë. Pse? Se përdorin asetet e infrastrukturës shqiptare, të ekonomisë shqiptare, të cilat nesër amortizohen shumë më shpejt sesa po të mos përdoreshin, pra kanë dhe ato koston e tyre. Dhe po të bësh një thjesht aritmetikën ditore, po vijnë 3 lekë më tepër sot.

Po të bësh aritmetikën afatmesme dhe afatgjatë, ky lloj turizmi, i cili nuk është mbështetur nga ana e qeverisjes, por thjesht është lënë në rënie të lirë, në dorën e operatorëve privatë, nuk është se jep ndonjë zhvillim, ndonjë bum. Dhe këtë e thonë dhe vetë statistikat.

Pse është thjesht e mundur që ky tremujor, po themi, periudha e verës që kap korrikun dhe gushtin, që janë flukset kryesore të turizmit, pse nuk ndryshon tremujori i tretë i një viti krahasuar me tremujorët e tjerë shumë? Pse nuk ndryshon? Nuk ndryshon sepse pikërisht dhe ai turizëm që vjen, e përsëris edhe njëherë, nuk është se ka atë impakt aq të madh mediatik që i është bërë.

Ka impakt patjetër, shyqyr që vijnë, inshallah ardhshin dhjetë herë më tepër se aq, por ama ne duhet të synojmë, të përmirësojmë dhe të fuqizojmë sektorin e turizmit. Cilat janë masat që janë marrë për fuqizimin e sektorit të turizmit? Aeroporti i Vlorës?

I kundërshtuar që në zanafillën e tij, për faktin që po ndërtohet aty ku po ndërtohet, sepse ato flamingot nuk ikën sot, kanë ikur që para 3 vitesh, që kur ka filluar aeroporti të ndërtohet. Durrësi që kemi parë, atë Dubain e ri që do ndërtohej në Durrës, i cili sot po zhytet nën rrënojë.

Cilët aspekte të ekonomisë shqiptare, cilët sektorë të ekonomisë shqiptare po mbështeten gjatë këtyre 13 viteve që të thuash ti: unë po fuqizoj ekonominë, po fuqizoj aktorët e tregut?

Këta, po të qenë më të fuqishëm, do të paguanin dhe më tepër, sepse ke të ardhura më tepër, më shumë taksa që do paguash në arkën e shtetit, që të ketë shteti pastaj mundësinë që të adresojë problematikat e varfërisë. Edhe ne, kur themi adresimin e problematikave të varfërisë, në momentin që do vijmë në qeverisje, nuk është se ne do ta bëjmë atë me shkop magjik.

Ne kemi një plan shumë të qartë, të thjeshtë, të bëshëm, të konsultuar dhe me ekspertë të huaj: fuqizojmë sektorët e ekonomisë dhe, me anë të fuqizimit të sektorëve të ekonomisë, rrisim prodhimin vendas, rrisim konkurrueshmërinë, rrisim edhe disiplinën fiskale dhe buxhetore.

Pra, ato para që ka arka e shtetit, të mos i shpërdorojmë me tendera abuzivë, të mos i shpërdorojmë për luks, të mos i shpërdorojmë për zyra, por të adresohen aty ku ka nevojë shoqëria dhe ekonomia shqiptare. A ka nevojë arsimi të mbështetet? Patjetër që po, do financohet më tepër. Ka nevojë shëndetësia të mbështetet? Patjetër që po, do financohet më tepër.

Po, në të vërtetë, mund të ketë kosto më të lartë financimi, po të siguroj diçka: një vend i cili ka një sistem arsimor më të mirë, në të cilin prodhon njerëz më të mirë, prodhon njerëz që nesër do të prodhojnë akoma dhe më tepër.

Një sistem shëndetësor i cili është më i mirë me të vërtetë mund të kushtojë diçka më tepër, apo mund t’i alokosh ti nga buxheti i parave më tepër, por ama ti bën njerëzit më të shëndetshëm që të punojnë edhe më gjatë. Po që një person i shëndetshëm jo vetëm thjesht punon më gjatë në aspektin kohor, por është dhe më cilësor në punën e tij.

Patjetër, rritet edhe prodhimtaria dhe, duke rritur prodhimin dhe prodhimtarinë, ti ke mundësi ta luftosh dhe ta minimizosh varfërinë. Janë të falimentuara familjet shqiptare edhe pa patur një njeri të sëmurë, janë të falimentuara.

Një e treta e shqiptarëve të cilët kanë pasiguri ushqimore, sipas çensuseve, po marrim, se ne e dimë shumë mirë që 1 milion e gjysmë shqiptarë kanë mbetur, por sipas çensuseve që janë 2.4, i thonë: 800 mijë shqiptarë nuk kanë ushqimin bazik në tryezën e tyre. Po këto, sa fëmijë janë prej tyre? A janë të paktën 1/4 fëmijë prej tyre?

Si mundet që një qeverisje në një vend të tolerojë që, po bëjmë afërsisht llogaritje, 200 mijë fëmijë të mos jenë të ushqyer mirë? Me çfarë? Me produktet bazike. Këtu nuk po themi të hanë siç hanë fëmijët e ministrave, të qeveritarëve, të deputetëve e kështu me radhë, që hanë karkaleca dhe na shkojnë nëpër plazhet e jugut e bëjnë garën se kush do hapë më shumë shishe shampanje.

Po flasim për ushqimin bazik. Varfëria nuk eliminohet brenda ditës, po ajo luftohet. Në këto 13 vite, fatkeqësisht, ne kemi një përkeqësim të treguesve të varfërisë. Edhe kur ishim ne në qeverisje, morëm varfëri të lartë. Nuk u zhduk varfëria, nuk u zhduk ajo varfëria ekstreme, duke i marrë ato masat që morëm, por varfëri kishte përsëri në vend. Po ama ishte në trend ulës vit pas viti.

Dhe ajo rrugë duhet të vazhdonte dhe gjatë këtyre 13 viteve. Të të siguroj që sot nuk kishte pse të ishte Kosova me më pak njerëz në përqindje të popullatës më të varfër se ne. Nuk kishte pse të ishte Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe vende të tjera. Si është e mundur që ne jemi vendi i fundit në rajon? Nuk i kemi ne resurset? Nuk i kemi ne mundësitë? A i kemi dhe njerëzit të aftë?

Patjetër, ne kemi dhe ekspertë të çdo lloj fushe. Edhe punonjës të administratës publike që janë të shkëlqyer, por nuk ia lë njeri në dorë atyre të marrin vendimin. Vendimet merren në atë tryezën e madhe, ku ulen këta qeveritarë, oligarkë, grupe interesi, që e vënë hartën e Shqipërisë përpara dhe e ndajnë si një tortë, thonë: kjo është pjesa ime, kjo është pjesa jote.

Dhe nuk mendon njeri t’u hedhin ndonjë thërrime shqiptarëve. Po gjërat, po të vazhdojnë kështu siç janë, ekonomia do shkojë keq e më keq dhe një ekonomi e cila nuk bazohet në prodhim dhe në produktivitet të fuqisë punëtore dhe në zhvillim të sipërmarrjes, është një ekonomi që, edhe historia ekonomike e dekadave të fundit, po edhe teoritë ekonomike, e kanë të vërtetuar që janë ekonomi që shkojnë drejt falimentit.

Dhe ne, fatkeqësisht, jemi ekonomi që nuk prodhojmë, prodhojmë vetëm emigrantë për jashtë. Dhe pastaj flasim dhe flitet, siç lexohet nëpër media, se sa do vijnë nga Bangladeshi, sa do vijnë nga Filipinet e kështu me radhë. Ata, mirë se të vijnë. Po mirë se të vijnë, duke ruajtur njëherë përpara prioritetin e shqiptarëve. Se dhe shqiptarët kemi qenë ne ata që kemi ikur jashtë këto 30 vite.

Por ama nuk kemi shkuar në vende që u shpopulluan. Shkuam në vende për të dhënë dhe ne vlerën tonë, për të ndërtuar jetën tonë patjetër, por dhe për të dhënë kontributin tonë me ato mundësi që ne kishim. Dhe patjetër, duke punuar, njerëzit kanë marrë dhe rrogat, kanë marrë dhe shpërblimin përkatës. Kurse Shqipëria u shpopullua.

Shqipërinë e braktisën të rinjtë, u larguan njerëzit, u çanë familjet përgjysmë, dhe pastaj themi si t’i zëvendësojmë ne këta njerëz duke i marrë fuqi punëtore nga jashtë. Nuk zhvillohet kështu një vend. E ka treguar dhe historia, dhe teoria. Një vend i tillë është i destinuar të falimentojë.

Shto pastaj dhe taksën e korrupsionit, shto dhe taksën e klientelizmit, shto dhe taksën e abuzimit, të gjitha me radhë. Çfarë bëjnë? E bëjnë një vend që i jep sot, i fundit.

I fundit për sa i përket të ardhurave për frymë, i fundit për sa i përket mbështetjes së shtresave në nevojë, i fundit për sa i përket investimeve të huaja direkte, i fundit për sa i përket shëndetit të ekonomisë, por dhe të sipërmarrjes. E cila është motori.

Pa sipërmarrjen nuk ka prodhim dhe, po s’pati prodhim, një vend nuk ka pastaj as çfarë të prodhojë, as çfarë të hajë, as çfarë të shesë. Një vend i tillë, fatkeqësisht, duhet të ndryshojë filozofinë e qeverisjes: model i ri, qeverisje e re, e cila normalisht, e kemi thënë dhe stërthënë, kalon thjesht nga vullneti popullor. Ndaj dhe qytetarët vazhdojnë të bëjnë protesta të forta.

Protesta është e pandalshme. Dhe unë i bëj thirrje çdo qytetari shqiptar, demokrat dhe jo-demokrat: ngrihuni për tryezën e familjes suaj. Ngrihuni për ato faturat e dritave që i paguani sot dy-tre herë më lart. Ngrihuni për ato faturat e ujit që është rritur anë e mbanë, ku vetëm Tirana është mbi 40% vetëm si çmim. Fut taksat e tjera që na i kanë futur faturës së ujit, na është dyfishuar.

Pra, ti e ke faturën e ujit dhe prapë ujë s’kemi në çezmat tona, shkojmë te marketi, marrim koli me ujë për të pirë. Të ngrihen, mos të ngrihen për veten e tyre, për xhepin e tyre. Për ata fëmijët që, në vend të shohin që t’i shkollojnë këtu në shkollat shqiptare, çdo familje mendon se si t’i çojë fëmijët jashtë.

Zoti na e ka dhënë që fëmijët ne t’i bëjmë, t’i rrisim, t’i edukojmë, por dhe t’i gëzojmë. Në momentin që vjen për ta gëzuar fëmijën, i thotë fëmijës: largohu ti jashtë, sepse këtu nuk ke as punë, as arsim, as shëndetësi e kështu me radhë. Dhe fëmija pastaj shkon në rrugët e Evropës, vuan atje në një asdredhar, se Evropa nuk është fushë me lule absolutisht.

Të siguroj, ka mbetur vetë në Evropë, nuk është fushë me lule dhe andej. Lodhesh e të gjitha dhe pastaj çfarë do bëjnë? Do sjellësh dhe një pjesë të parave që ke fituar andej, t’i sjellësh në Shqipëri për të mbajtur me bukë dhe me ilaçe ata prindër që tashmë kanë dalë në pension, të cilët kanë punuar një jetë të tërë dhe kanë një pension, as pensionin minimal.

Dhe sot opozita dhe lideri i opozitës e bëri shumë të qartë: një nga qëndrimet tona të panegociueshme është vendosja e minimumit jetik. Po të themi me 200 euro, do i bëjnë shqiptarët të pasur? Jo, nuk do i bëjnë shqiptarët të pasur me 200 euro minimum jetik. Po ama do i japë pak dinjitet dhe një mundësi më shumë për të jetuar pak më mirë. Dhe fatmirësisht mundësitë janë.

Dhe në momentin kur janë mundësitë për një iniciativë, nuk ndërmerret, është thjesht çështje mungesë e vullnetit politik. Tashi, ky vullnet është me dashje apo është pa dashje? Fatkeqësisht, ne e dimë që kjo është një vullnet, le të themi, me dashje, sepse nuk është se s’e dinë realitetin.

E shohin realitetin, i kanë dhe statistikat përpara, i bëjnë dhe ato sondazhet e tyre për javë e për muaj e kështu me radhë. E dinë shumë mirë se çfarë ndodh. Sa të mblidhen ministrat apo qeveritarët të ulen atje, të pinë verë e të hanë mish e peshk, le të mendojnë për tryezën e qytetarit të thjeshtë. Ku një e treta, fatkeqësisht, e shqiptarëve nuk sigurojnë dot ushqimet bazike.

Se kur u fol dje, që doli dhe lajmi për pasiguri ushqimore, nuk u fol për një shportë masive ushqimesh. U fol për ushqimet bazike: qumësht, djathë, bukë, miell, sheqer, makarona, kripë. Nuk u fol aty as për karkalecat, as për aragostat dhe as për shishet e verës të shtrenjta. U fol për ushqimet bazike që njeriu të mbajë frymën gjallë.

Burimi: Bota Sot