Po nëse Kina nuk bashkëpunon? Fushata amerikane e sanksioneve në

0%

Ekspertët amerikanë të sanksioneve thonë se fushata e re e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për ta izoluar ekonomikisht Iranin, mund ta rrisë ndjeshëm presionin ndaj Teheranit, por vetëm nëse Uashingtoni i shoqëron kërcënimet e tij me veprime konkrete. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, prezantoi më 24 gusht atë që e quajti “Operacioni i Izolimit Ekonomik”.

Ai e përshkroi atë si një përpjekje të paprecedentë për t’i detyruar partnerët tregtarë të Iranit të zgjedhin: ose të vazhdojnë marrëdhëniet tregtare me Teheranin, ose të ruajnë qasjen në sistemin financiar amerikan. Megjithatë, Bessent njoftoi për pak masa konkrete që do të hynin menjëherë në fuqi.

Kjo e lë të hapur pyetjen kryesore: a është Uashingtoni i gatshëm të shkojë përtej sanksionimit të subjekteve iraniane dhe ndërmjetësve më të vegjël dhe të godasë drejtpërdrejt institucionet financiare dhe blerësit e naftës në Kinë, që janë kyç për të ardhurat e Iranit?

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një hap i tillë mund të shkaktojë reagimin e Pekinit dhe, potencialisht, të ringjallë luftën tregtare mes dy vendeve, përpara vizitës së planifikuar të presidentit kinez, Xi Jinping, në Uashington më 24 shtator.

Për Michael Parkerin, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit, i cili ka shërbyer si hetues dhe drejtues në Zyrën për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), deklaratat e Bessentit duket se kanë për qëllim jo vetëm paralajmërimin e sanksioneve, por edhe ushtrimin e presionit ndaj qeverive të huaja.

“Deklaratat e sekretarit Bessent duket se janë një paralajmërim publik për të përforcuar përpjekjet diplomatike që SHBA-ja po zhvillon prapa skenave”, thotë Parker për Radion Evropa e Lirë.

“Ai duket se po u jepte aktorëve të mëdhenj – qoftë në Kinë apo gjetkë – një mundësi për të ndryshuar sjelljen dhe njëkohësisht për të ruajtur imazhin e tyre, përpara se SHBA-ja të ndërmarrë masa më të gjera”, shton Parker.

“Nëse kjo fushatë do të sjellë apo jo ndonjë ndryshim të madh, do të varet nga ajo se sa larg do të shkojnë SHBA-ja dhe aleatët e saj me zbatimin e masave më të ashpra, veçanërisht ndaj bankave më të mëdha ”, sipas tij. Pikërisht gatishmëria për të ndërmarrë masa të tilla do të përcaktojë edhe sa e besueshme do të jetë fushata amerikane.

Shtetet e Bashkuara kanë përvojë të gjatë me vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. Teherani, në anën tjetër, ka kaluar vite duke gjetur mënyra për t’iu shmangur sanksioneve, qoftë përmes kompanive fiktive, ndërmjetësve, transportit të fshehtë detar dhe kanaleve financiare që janë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Uashingtonit.

Administrata amerikane pretendon se tashmë ka identifikuar “çdo hallkë, çdo rrjet dhe çdo ndërmjetës” që Irani përdor për të shitur naftë dhe për t’iu shmangur sanksioneve. Një gjë e tillë sugjeron se Uashingtoni synon të mbyllë shumë nga kanalet që Teherani vazhdon t’i përdorë.

Por, sipas ekspertëve të sanksioneve, një nga këto kanale do të jetë veçanërisht i vështirë për t’u mbyllur: Kina. Testi i Kinës Bessent tha se Departamenti amerikan i Thesarit ka identifikuar subjekte që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin. Sipas tij, atyre do t’u caktohen afate për t’i ndërprerë këto marrëdhënie – në të kundërtën do të përballen me sanksionet amerikane.

Kohëzgjatja e afatit do të varet nga rrethanat e secilit rast. “Askush nuk është jashtë gamës së sanksioneve amerikane”, tha Bessent, kur u pyet për Kinën, e cila është blerësja kryesore e naftës iraniane. “Nëse lehtësojnë transaksione dhe janë pjesë e sistemit që e shndërron naftën iraniane në para dhe paratë në represion, ato do të jenë në shënjestër” , tha Bessent.

“Çdo subjekt që lehtëson pastrimin e parave në emër të Iranit, do të përjashtohet nga sistemi i dollarit amerikan. Afati sapo ka filluar të ecë”, shtoi ai. Kjo ngre pyetjen më të rëndësishme për fushatën amerikane: Çfarë do të ndodhë nëse Uashingtoni vendos sanksione ndaj një institucioni të madh financiar kinez?

Max Meizlish, hulumtues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD) dhe ish-zyrtar i Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), kujton se Departamenti i Thesarit, në prill, u ka dërguar letra paralajmëruese bankave në Kinë, Hong Kong, Oman dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ato janë paralajmëruar për mundësinë e sanksioneve dytësore nëse vazhdojnë ta ndihmojnë Iranin që t’u shmanget sanksioneve. “Është e pamundur të ndalet rrjedha e parave drejt Iranit nëse SHBA-ja nuk përballet me Kinën” , thotë Meizlish. Ai përmend në veçanti Bankën e Kunlunit në Kinë, së cilës Uashingtoni ia ndërpreu qasjen në sistemin e dollarit amerikan në vitin 2012.

“Banka e Kunlunit duhet të jetë në krye të listës së sanksioneve”, thotë Meizlish. Ai e cilëson masën e mëparshme amerikane ndaj bankës si “kryesisht simbolike” dhe thotë se sanksionimi i saj sërish mund ta rrisë presionin ndaj kompanisë së saj mëmë – Korporata Kombëtare e Naftës e Kinës – që t’i ndërpresë lidhjet me Iranin.

Ambasada kineze në Uashington tha se sanksionet dhe presioni nuk do ta zgjidhin çështjen e Iranit dhe bëri thirrje që zgjidhja të kërkohet përmes përpjekjeve politike dhe diplomatike. “Sa i përket çështjes së Iranit, sanksionet dhe presioni nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit”, tha Ambasada kineze.

“Kina u bën thirrje palëve përkatëse të veprojnë me përgjegjësi dhe ta zgjidhin çështjen përmes mjeteve politike dhe diplomatike” , shtoi ajo. Bessent tha se presidenti amerikan, Donald Trump, është duke zhvilluar biseda telefonike me udhëheqës botërorë, të cilëve është duke u kërkuar që t’i ndërpresin marrëdhëniet me Qeverinë iraniane.

Ai nuk tregoi nëse Trump do të bisedojë drejtpërdrejt për këtë çështje me presidentin kinez, Xi Jinping. Jim Mullinax, ish-zyrtar i lartë për çështje ekonomike në Departamentin amerikan të Shtetit, i cili më herët ka drejtuar Zyrën për Politikat dhe Zbatimin e Sanksioneve, thotë se pasojat e sanksionimit të bankave kineze do të varen kryesisht nga ajo se cilat banka do të goditen.

“Katër bankat më të mëdha, mësa kuptoj unë, nuk merren me transaksionet iraniane”, thotë Mullinax për Radion Evropa e Lirë. “Kina zakonisht përdor institucione të veçanta për marrëdhëniet me Iranin, Korenë e Veriut e të tjera ”, sipas tij.

Kjo mund t’i japë Uashingtonit hapësirë për të sanksionuar bankat që kryejnë transaksione me Iranin, pa shkaktuar domosdoshmërisht pasoja të mëdha për sistemin financiar global. “Reagimi i Kinës ka të ngjarë të varet nga madhësia e bankës. Por, duhet pritur kundërpërgjigje…

Nëse Kina nuk bashkëpunon, as të tjerët nuk do ta bëjnë dhe është e vështirë të shihet se si kjo situatë nuk do të përshkallëzohet”, thotë Mullinax. Në këtë mënyrë, sanksionet ndaj Iranit mund të shndërrohen në një përplasje më të gjerë mes SHBA-së dhe Kinës për kufijtë e fuqisë financiare amerikane.

Paralajmërim për ata që u shmangen sanksioneve Bessent tha se vendeve dhe subjekteve që vazhdojnë të kenë marrëdhënie me Iranin, do t’u caktohen afate për t’i ndërprerë ato. Mullinax, i cili për vite me radhë është marrë me politikën e sanksioneve dhe diplomacinë ndërkombëtare, thotë se dhënia e një afati paralajmërues ka kuptim.

“Nëse synimi është t’ia pamundësosh Iranit transferimin e parave, atëherë mbyllja e kanalit përmes të cilit lëvizin ato, është më e rëndësishme sesa ngrirja e një shume të caktuar”, thotë Mullinax. “Si ish-diplomat, më pëlqen ideja e një fushate diplomatike – është më mirë t’i bindësh vendet të ndërmarrin vetë masa sesa të sanksionosh institucionet e tyre”, shton ai.

Megjithatë, Meizlish thotë se paralajmërimet e Bessentit mund të kenë edhe një qëllim tjetër: t’i përgatisin tregjet financiare për masa që mund të shkaktojnë tronditje. Tregtia globale tashmë është goditur nga ndërprerjet e mëdha të transportit të naftës, gazit të lëngshëm natyror dhe mallrave të tjera të rëndësishme përmes Ngushticës së Hormuzit.

Edhe rritja e normave të interesit të obligacioneve ka shtuar shqetësimet në tregjet globale. “Paralajmërimi i Bessentit mund të shërbejë për ta përgatitur tregun për diçka që, në të kundërtën, do të shkaktonte tronditje ”, thotë Meizlish. Si do të dukej suksesi? Administrata amerikane ka vendosur një synim: izolimin e plotë ekonomik të Iranit.

Por, ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se matja e suksesit të kësaj fushate është më e ndërlikuar. Sipas Mullinaxit, administrata duket se i sheh sanksionet si një mjet presioni për të arritur, në fund, një rezultat politik.

“Sipas meje, administrata do ta konsideronte sukses kthimin e Iranit në tryezën e negociatave, të gatshëm për një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërprerjen e financimit të terrorizmit, zhvillimit bërthamor dhe sulmeve në rajon”, thotë ai.

Por, sanksionet mund të sjellin edhe pasoja të padëshiruara, veçanërisht nëse presioni ndaj Iranit fillon të ndikojë në tregjet globale të energjisë ose ua vështirëson qytetarëve të zakonshëm iranianë sigurimin e produkteve bazë. “Tashmë kemi një problem ekonomik global dhe jam i sigurt se në horizont është edhe një problem humanitar”, thotë Mullinax.

Ai thekson se konventat ndërkombëtare lejojnë transaksionet për mallra humanitare, si ushqimet dhe barnat, ndonëse shfaq dyshime nëse administrata Trump do t’i ruajë këto përjashtime në të njëjtën mënyrë.

Megjithatë, pyetja kryesore është nëse presioni ekonomik mund ta detyrojë Qeverinë iraniane të bëjë lëshime politike, pasi ajo ka treguar se është në gjendje të mbijetojë edhe nën sanksione të ashpra. “Sa do ta dobësojë regjimin? Do të kisha menduar se tashmë është i dobët, por kjo nuk duket se e pengon t’i shkaktojë dëme SHBA-së dhe ekonomisë globale”, t hotë Mullinax.

Kjo është edhe pasiguria kryesore që shoqëron Operacionin e Izolimit Ekonomik. Nëse Irani vazhdon të gjejë blerës, banka dhe shtete të gatshme për ta ndihmuar që t’u shmanget kufizimeve, synimi që sanksionet të mos kenë asnjë “rrjedhje” mund të mbetet vetëm një ambicie dhe jo një objektiv i arritshëm.

Dhe, nëse SHBA-ja vlerëson se për ta izoluar plotësisht Iranin duhet të përballet me institucione të mëdha financiare kineze, fushata e sanksioneve mund të shndërrohet shpejt në diçka shumë më të madhe: një provë se deri ku mund ta përdorë Uashingtoni fuqinë e tij ekonomike kundër një prej rivalëve kryesorë gjeopolitikë, pa shkaktuar një përplasje më të gjerë ekonomike. / REL

Burimi: Bota Sot