Një 61-vjeçar nga Suedia është dënuar me katër vjet e pesë muaj burgim pasi detyroi gruan e tij të kryente akte seksuale me më shumë se 120 burra. Identiteti i të dënuarit nuk është bërë publik. Ai u shpall fajtor për një sërë veprash penale, përfshirë shfrytëzim të rëndë seksual për përfitim, tentativë përdhunimi, dhunë dhe kërcënime të paligjshme, pas një gjykimi të zhvilluar në rajonin e Angermanlandit, në veri të Suedisë. Gjatë procesit gjyqësor, gjykata në Härnösand dëgjoi se burri ushtronte kontroll të plotë mbi gruan e tij duke i siguruar drogë, duke e mbajtur të izoluar në fermën e tyre në Kramfors dhe duke përfituar nga fakti se ajo kishte pak kontakte shoqërore. Sipas dëshmive, ai kishte vendosur kamera vëzhgimi në të gjithë pronën për të filmuar takimet seksuale dhe e kërcënonte vazhdimisht me vdekje, duke i thënë se do ta spërkaste me benzinë, do t’i vinte flakën dhe do t’ia priste gishtat. Përveç të akuzuarit kryesor, edhe 29 persona të tjerë u përballën me akuza për blerje të shërbimeve seksuale. Nga ta, 28 u shpallën fajtorë për gjithsej 56 shkelje të tilla, ndërsa dy prej tyre u dënuan me burg. Prokurorët thanë se burrat udhëtonin nga pjesë të ndryshme të vendit për të kryer marrëdhënie seksuale me viktimën gjatë vitit 2022. Kalvari i saj mori fund vetëm në tetor të vitit 2025, kur ajo kontaktoi policinë dhe denoncoi bashkëshortin. I akuzuari është mbajtur në paraburgim që nga tetori, pas dëshmisë së gruas. Prokuroria kishte deklaruar më herët se ai dyshohej se kishte organizuar dhe përfituar nga shfrytëzimi seksual i bashkëshortes së tij me të paktën 120 burra. Rasti është krahasuar me atë të Dominique Pelicot në Francë, i cili drogonte bashkëshorten e tij të atëhershme, Gisele Pelicot, dhe lejonte dhjetëra burra ta përdhunonin për një periudhë prej nëntë vitesh. Pas përfundimit të seancave gjyqësore në fund të majit, gjykata suedeze e shpalli të pafajshëm të pandehurin për tetë akuza për përdhunim dhe tre të tjera për tentativë përdhunimi. Gjykata argumentoi se në shtatë raste nuk mund të provohej se përfshirja e viktimës ishte kundër vullnetit të saj, ndërsa në një rast tjetër nuk ishte e qartë se çfarë aktesh seksuale kishin ndodhur, shkruan Daily Star.
“Të spërkas me benzinë”, 4 vjet burg për burrin që detyroi gruan të bënte seks me 120 persona

Burimi:
Bota Sot