Kanë kaluar pothuajse pesë vjet nga shuplaka e famshme në ceremoninë e Oscars, por duket se historia mes Will Smith dhe Chris Rock ende nuk ka marrë fund. Sipas një burimi të cituar nga National Enquirer, aktori 57-vjeçar është i irrituar që Rock nuk ka pranuar faljet e tij dhe dëshiron që ndalimi i tij nga ceremonia e Oscars të rishikohet.
“Will i ka kërkuar vazhdimisht falje Chris-it publikisht dhe nuk ka marrë absolutisht asgjë në këmbim, gjë që për të është shumë e rëndë”, thotë burimi .
“Nuk e duron dot faktin që Chris refuzon ta pranojë faljen e tij dhe të vazhdojë përpara.” Pas incidentit të bujshëm në ceremoninë e Oscars, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit e dënoi Smith-in me 10 vite ndalim nga aktivitetet e Akademisë, çka do të thotë se ai nuk mund të marrë pjesë në ceremoninë e Oscars dhe në evente të tjera të organizuara prej saj.
Sipas burimit, kjo situatë është veçanërisht e vështirë për Smith-in sepse nuk ka kontroll mbi të. “Është jashtëzakonisht e vështirë për të të mos ketë aspak kontroll mbi një situatë dhe kjo është diçka që e urren absolutisht. Fakti që i kanë mbetur edhe pesë vjet e gjysmë përpara se të mund të shkelë sërish në ceremoninë e Oscars e tërbon”, pretendon burimi.
Por Smith nuk dëshiron vetëm të rikthehet në qendër të vëmendjes së Hollywood-it. Sipas të njëjtit burim, ai po kërkon gjithashtu një lehtësim të dënimit nga Akademia, në mënyrë që të mos duhet të presë deri në përfundimin e plotë të periudhës 10-vjeçare. “Po, ai gaboi që goditi Chris-in, por kishte një kontekst për veprimet e tij” , thotë burimi.
Incidenti ndodhi gjatë ceremonisë së Oscars në vitin 2022. Smith u ngjit në skenë dhe goditi Rock-un pasi komediani bëri një shaka për Jada Pinkett Smith, e cila në atë kohë kishte kokën e rruar për shkak të përballjes me alopecinë. “Sigurisht që ai do reagonte”, shprehet burimi. Megjithatë, sipas tij, Smith nuk po e fajëson drejtpërdrejt Rock-un për atë që ndodhi.
“Ai nuk po del dhe nuk po e fajëson Chris-in për këtë, por sigurisht që mendon se ai po e zgjat qëllimisht këtë situatë dhe vetëm nga inati”, thotë burimi . “Dhe sa më shumë që kjo vazhdon, aq më i zemëruar dhe i hidhëruar bëhet Will.”
