TikTok dhe ByteDance kanë rënë dakord t’i paguajnë rreth 342 milionë euro Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, në kuadër të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund padisë lidhur me shkeljen e pretenduar të privatësisë së fëmijëve.
Sipas marrëveshjes, rreth 257 milionë euro do të paguhen menjëherë, ndërsa rreth 85.6 milionë euro të tjera pasi të hiqet një marrëveshje e mëparshme gjyqësore që lidhej me Musical.ly, paraardhësin e TikTok-ut.
Padia u ngrit në vitin 2024 nga Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni Federal i Tregtisë, të cilat e akuzuan TikTok-un se kishte mbledhur të dhëna personale të fëmijëve nën moshën 13-vjeçare pa pëlqimin e prindërve .
Autoritetet amerikane pretenduan se edhe llogaritë në një modalitet të posaçëm për fëmijë, të njohur si “Kids Mode” , kishin mbledhur të dhëna si adresat e emailit dhe informacione të tjera personale. Çështja lidhet me ligjin amerikan COPPA , i cili kërkon që platformat online të marrin pëlqimin e verifikueshëm të prindërve përpara se të mbledhin të dhëna personale nga fëmijët nën 13 vjeç.
Departamenti i Drejtësisë e cilësoi marrëveshjen si një fitore të rëndësishme për fëmijët dhe prindërit amerikanë, ndërsa theksoi se TikTok ka ndërmarrë ndryshime në praktikat e privatësisë dhe në kontrollet për moshën që nga ngritja e padisë.
Marrëveshja prej rreth 342 milionë eurosh konsiderohet një nga rikuperimet më të mëdha financiare në një rast të lidhur me ligjin amerikan për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
