Të dielën që lamë pas, u nda nga jeta Zenun Brovina, një emër i madh i futbollit të Kosovës. Me vdekjen e tij, futbolli i Kosovës humbi një emër të madh.
Brovina luajti për vite me fanellën e Vëllaznimit dhe Prishtinës, po ashtu ishte edhe kapiten i kombëtares së Kosovës Zenun Brovina ishte shqiptari i parë që veshi fanellën e Partizanit të Beogradit, në fillim të viteve 60-të (1963 – 1964).
Prandaj lind pyetja, pse Federata e Futbollit e Kosovës nuk ndërmori një nismë për organizimin e një mbledhjeje komemorative për këtë figurë të futbollit? Pse FFK-ja nuk e inicioi këtë së bashku me Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Gjakovës? Zenun Brovina ishte pjesë e historisë së të dy qyteteve dhe dha kontribut të madh.
Ai i dha shumë futbollit dhe, për dekada me radhë, mbeti i lidhur me këtë sport dhe pas luftës ishte vëzhgues i futbollit në Superligën e Kosovës. Një mbledhje komemorative nuk do ta kthente pas një njeri që iku nga kjo botë, por do të ishte një nderim për veprën e tij dhe një shenjë respekti për historinë e futbollit. Emri i tij gjithmonë do të mbetet i shkruar me shkronja të arta.
Zenun Brovina e ka merituar një mbledhje komemorative. E ka merituar futbolli ynë. E ka merituar historia jonë..
