Presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, po rritet para zgjedhjeve të vitit 2027. FairSquare, një organizatë jofitimprurëse britanike që merret me të drejtat e njeriut dhe qeverisjen në sport, i ka kërkuar FIFA-s që të shqyrtojë dhe të bllokojë kandidaturën e Infantinos për një mandat të katërt.
FairSquare nuk është organ i FIFA-s dhe nuk ka kompetencë ta skualifikojë vetë Infantinon, por ka paraqitur një ankesë te Komiteti i Qeverisjes, Auditimit dhe Përputhshmërisë së FIFA-s, duke argumentuar se ai ka shërbyer tashmë numrin maksimal prej tre mandatesh të lejuara nga statutet. Infantino mori drejtimin e FIFA-s në vitin 2016, pas dorëheqjes së Sepp Blatterit.
Në vitin 2022, FIFA vendosi që periudha 2016-2019 të mos llogaritej si një mandat i plotë, pasi Infantino kishte përfunduar mandatin e ndërprerë të Blatterit. FairSquare kundërshton këtë interpretim dhe pretendon se kufizimi i mandateve po anashkalohet. “Rregullat thonë qartë se tre mandate presidenciale janë maksimumi.
FIFA nuk mund ta anashkalojë këtë rregull duke thënë se mandati i parë nuk llogaritet ”, deklaroi drejtori i FairSquare, Nicholas McGeehan. Në përgatitjen e ankesës ka marrë pjesë edhe Miguel Maduro, ish-kreu i Komitetit të Pavarur të Qeverisjes dhe Rishikimit të FIFA-s.
Ndërkohë, presioni ndaj Infantinos është shtuar edhe nga UEFA, AFC dhe CONCACAF, ndërsa Federata Skoceze ka konfirmuar se nuk do ta mbështesë në zgjedhjet e vitit 2027. Zgjedhjet pritet të mbahen më në Marok, ku Infantino synon të sigurojë një mandat tjetër në krye të futbollit botëror.
