“Indiana Jonesi i vërtetë” që gjeti një qytet të lashtë e të humbur

0%

Në vitin 1911, një profesor amerikan pretendoi se thellë në Andet peruane kishte zbuluar fortesën e lashtë malore të mbretit të fundit inkas. Megjithatë, 53 vjet më vonë, një tjetër eksplorues vërtetoi se ai kishte gabuar – dhe, pak kohë më pas, një ekip i BBC-së ndoqi gjurmët e tij.

Nga: Fiona Macdonald / BBC Përkthimi: Telegrafi.com “Askush tani nuk e vë në dyshim se ky ishte vendi ku ndodhej Vilkabamba e lashtë”. Kështu shkroi studiuesi i Jejlit [Yale] i cili në vitin 1911 i solli rrënojat peruane të Maçu Piçus në vëmendjen e mbarë botës.

Hiram Bingham III u angazhua nga banorët vendas për të kërkuar një qytet të humbur inkas, për të cilin legjendat thoshin se fshihte thesare – dhe ai ishte plotësisht i bindur se pikërisht atë kishte gjetur. Megjithatë, 50 vjet më vonë, bindja e Binghamit u vu në pikëpyetje nga një tjetër eksplorues amerikan, i mbiquajtur “Indiana Jonesi i vërtetë”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në gusht të vitit 1964, Gene Savoy pretendoi se kishte gjetur të njëjtin qytet të humbur – rreth 60 kilometra (37 milje) në veriperëndim të Maçu Piçus.

Ai besonte se ekspedita e tij kishte identifikuar fortesën malore të mbretit të fundit inkas në Espiritu Pampa (“Rrafshina e Shpirtrave”, ose Vilkabamba), një kompleks rrënojash në pyje të largëta malore të mbuluara nga retë, shumë lart mbi një degë të Amazonës.

Vetëm gjashtë javë pas zbulimit të Savoyt, një ekip i BBC-së ndoqi gjurmët e tij, duke udhëtuar me një gomone nëpër ujëra të rrëmbyeshme (ku edhe u përmbysën), duke u ngjitur me mushka në shpatet e thepisura të kanioneve dhe duke çarë rrugën përmes xhunglës deri te vendi i rrënojave.

“Copëzat e informacionit që kishin mbledhur gjatë rrugës i bënë të dyshonin në disa prej pretendimeve të Savoyt”, tregoi prezantuesi. “Por, pasi kishin ardhur deri aty, duhej të vazhdonin dhe ta shihnin vetë”. Shumëçka ishte në lojë. Ndoshta do të gjenin “zemrën e një qyteti të panjohur, ku duket se ka të ngjarë që perandori i fundit inkas të ketë mbledhur mbetjet e popullit të tij”.

Nga fillimi i shekullit XX, Vilkabamba (që do të thotë “rrafshinë e shenjtë” në gjuhën keçua, një gjuhë e lashtë indigjene) ishte shndërruar në një qytet legjendar, të rrënjosur po aq në legjendë sa edhe në histori.

Pasi nuk arriti t’i pengonte pushtuesit spanjollë të merrnin kryeqytetin e tij, Kuskon – në vitin 1536 – mbreti inkas Manko e udhëhoqi popullin e tij të mundur drejt maleve përtej. Thuhej se disa mijëra prej tyre ndërtuan atje pallate dhe tempuj në kryeqytetin e Mankos në mërgim, ku kishte çuar thesaret prej ari, idhujt vezullues dhe mumiet e paraardhësve të tij.

Sipas fratit të shekullit XVI, Martin de Murúa, i cili dokumentoi pushtimin spanjoll të Perusë, “në atë vend të largët, ose më saktë në atë tokë mërgimi, inkasit gëzonin pothuajse po aq luks, madhështi dhe shkëlqim sa në Cusko”.

Përtej të qenit një vend mërgimi, Vilkabamba ishte gjithashtu një qendër e rezistencës inkase, ku planifikohej lufta guerile kundër spanjollëve dhe nxiteshin kryengritjet nëpër zona më të largëta. Megjithatë, në vitin 1572, përballë një pushtimi, inkasit i vunë zjarrin qytetit dhe u larguan.

Kryeqyteti i fundit inkas u përpi nga xhungla dhe vendndodhja e tij mbeti mister për shekuj me radhë. Në kërkim të qytetit të humbur legjendar Binghami ishte angazhuar nga pronarë peruanë tokash në vitin 1909 për të zbuluar nëse një vend i njohur si Çokekirao (“djepi i arit”) ishte qyteti i humbur i legjendave. 34-vjeçari, i cili më vonë u bë senator amerikan, ishte profesor asistent i historisë së Amerikës Latine dhe rastësisht po udhëtonte në atë zonë.

Ai nuk ishte arkeolog dhe as po kërkonte rrënoja inkase. Por, një zyrtar i pushtetit vendor, Juan José Núñez, prefekt i Apurimakut, nuk pranonte të merrte “jo”-në si përgjigje. “Núñezi këmbëngulte se, meqë isha doktor, me gradën PhD, duhej të dija gjithçka për arkeologjinë dhe mund t’i tregoja se sa i vlefshëm ishte Çokekirao si vend për thesare të groposura”, shkroi Binghami.

“Kundërshtimi im se ai e kishte vlerësuar gabimisht nivelin e njohurive të mia arkeologjike u konsiderua prej tij thjesht si shenjë modestie”. Bingham më pas pranoi: “Dija shumë pak për inkasit”.

Në vend të kësaj, ai u mbështet në një libër të botuar nga Shoqëria Mbretërore Gjeografike Britanike, me titull Hints to Travellers [ Udhëzime për udhëtarët ], i cili përmbante këshilla se çfarë duhej bërë kur ndesheshe me një lokacion arkeologjik.

Hiram Bingham III (1875-1956) (Foto: Alamy) Megjithëse ishte skeptik se në Çokekirao kishte ar apo se ai ishte qyteti i famshëm i humbur, udhëtimi megjithatë e frymëzoi Binghamin që, në vitin 1911, të drejtonte një ekspeditë të Jejlit për të gjetur strehën e fundit të inkasve. “Dukej se përtej vargmaleve shtrihej një rajon i panjohur, i cili mund të fshihte mundësi të mëdha.

Ndoshta kryeqyteti i Mankos ishte i fshehur atje”, tha ai. Në fakt, udhërrëfyesit e kishin çuar Binghamin në lokacionin që Savoy do ta identifikonte 50 vjet më vonë, 150 kilometra në verilindje të Kuskos.

Por, i penguar nga moti i keq, me rezervat ushqimore drejt fundit dhe me hamallët që kërcënonin se do ta braktisnin, ai u largua shpejt prej andej, përpara se të pretendonte se e kishte gjetur qytetin e humbur në Maçu Piçu.

Një tjetër eksplorues guximtar ndërmerr ekspeditën Në vitin 1964, Savoy – një eksplorues 37-vjeçar nga Portlandi në Oregon – arriti në zonën pranë Espiritu Pampas, së bashku me eksploruesin peruan Antonio Santander Cascelli. Fillimisht, vendasit refuzuan t’i udhëhiqnin drejt vendit, nga frika e një legjende fisnore sipas së cilës perënditë do t’i vrisnin ata që zbulonin vendndodhjen e tij.

Pas shumë përpjekjesh për t’i bindur, peruanët i çuan Savoyn dhe Santanderin te rrënojat e Vilkabambas, të mbuluara me myshk. “Nuk u besonim syve”, tha Savoy. “Çdo ditë, bëhej edhe më e jashtëzakonshme”.

Savoy dhe Santanderi gjetën rrënoja të shpërndara në tri rrafshnalta malore, ku përfshiheshin një pallat, ndërtesa prej graniti dhe guri gëlqeror, si dhe shatërvanë – vetëm rrafshnalta e parë ishte afërsisht katër herë më e madhe se Maçu Piçu.

Eksplorimi i zonës e çoi Savoyn në përfundimin se “vendi ishte një strehë e përdorur nga inkasit e fundit, të përfshirë në agoninë e një lufte përfundimtare kundër pushtuesve të rinj”. Megjithatë, vetëm pas dy javësh, udhërrëfyesit e tyre filluan të largoheshin, të frikësuar nga besëtytnitë fisnore. “Normalisht, ata ishin miqësorë dhe të buzëqeshur”, tha Savoy.

“Por, kur i çuam në ato pyje, ndryshuan”. Ata vendosën të largoheshin dhe të ktheheshin më vonë për hulumtime të mëtejshme. Vetëm gjashtë javë pas ekspeditës së tyre, një ekip i BBC-së përshkoi të njëjtën rrugë.

“Për 400 vjet, pak evropianë kishin kaluar andej, e aq më pak dikush me një kamerë filmike”, shkroi Tony Morrison, regjisori i filmit të realizuar për serinë BBC Adventure nga David Attenborough. “Pas një jave ecjeje të mundimshme dhe një zbritjeje të gjatë në një pyll të dendur malor, shpesh të lagur nga shiu, arritëm te rrënojat e vendbanimit inkas”.

Xhungla e kishte mbrojtur qytetin për shekuj me radhë, ndërsa ata që përpiqeshin ta eksploronin duhej të çanin rrugën. Sipas një raporti, “pemë të mëdha i kishin mbërthyer me rrënjët e tyre muret dhe tarracat, ndërsa degët e tyre ishin ndërthurur nga bimët kacavjerrëse po aq të trasha dhe të forta sa kabllot telefonike”.

“E urrej atë xhungël të mallkuar”, tha Savoy, por shtoi: “Më mirë do të vdisja atje sesa të mos eksploroja”. Zbulimi i Savoyt dhe Santanderit nuk vërtetoi se rrënojat në Espiritu Pampa ishin kryeqyteti i fundit i inkasve. Por, diçka që ata gjetën atje do të çonte më pas në konfirmimin se bëhej fjalë për Vilkabamban – tjegullat e çatisë.

“Këto tjegulla janë deri tani prova më e fortë”, tha prezantuesi i BBC-së në vitin 1964. “Ato janë spanjolle për nga dizajni, por në ngjyrosje dhe shenja mbartin një ndikim të dallueshëm inkas”. Rëndësia e tyre u njoh më vonë edhe nga John Hemmingu, drejtor i Shoqërisë Mbretërore Gjeografike në Londër nga viti 1975 deri më 1996 dhe ekspert i inkasve.

Ai arriti të përputhte rrëfimet e dëshmitarëve okularë për Vilkabamban – përfshirë kronikat e fratit Martin de Murúa – me hollësitë e lokacionit. Zbulimi i tjegullave ishte i pazakontë, pasi inkasit zakonisht përdornin kashtë për mbulimin e çative.

Megjithatë, në përshkrimin që Murúa i bënte kryeqytetit inkas në mërgim, gjendej një e dhënë e rëndësishme: “Inkasit kishin një pallat në nivele të ndryshme, të mbuluar me tjegulla”. Savoy tha më vonë: “Për ekzistencën e qytetit ishte folur prej aq shumë kohësh, saqë ai pothuajse kishte kaluar nga historia në mit. Tani ne e kemi rikthyer në histori”.

Pra, duket se në vitin 1911, Binghami kishte kaluar vetëm pak hapa larg vendit që po kërkonte – strehës së fundit të Perandorisë Inkase. Megjithatë, për Savoyn mbetej ende një mister.

“Vetëm një pjesë e vogël e arit dhe e xhevahireve të inkasve u gjet ndonjëherë”, i tha ai revistës Esquire në vitin 1967, “dhe, kam arsye të besoj se [ata] pjesën tjetër e hodhën në liqene dhe shpella, në vend që ta linin të binte në duart e spanjollëve. Në ekspeditat e mëparshme kam gjetur liqene që nuk figuronin në asnjë hartë dhe tunele të mbyllura me mur, të pashënuara në harta”.

Zbulimi i atij që duket se ka qenë qyteti i fundit inkas – edhe sot kryesisht i varrosur nën xhungël, me strukturat e tij prej guri të mbërthyera nga bimët dhe me rrënjët e pemëve që u zënë hyrjet – ka ngritur më shumë pyetje sesa ka dhënë përgjigje.

“Zona është magjepsëse, sepse ende nuk është cenuar apo plaçkitur”, i tha The Guardian -it në vitin 2018, Javier Fonseca, arkeolog në Ministrinë e Kulturës të Perusë. Madje, ka pasur edhe raportime për një qytet tjetër, më thellë në pyll. “E dimë se i ashtuquajturi ‘thesari i humbur i inkasve’ nuk është gjetur”, tha Savoy në vitin 1967.

“Nëse ky thesar ekziston … atëherë mund të hamendësojmë se ku mund të ndodhet”.

Burimi: Telegrafi