Pse PDK, AAK e LDK refuzuan Haxhiun? Njohësit flasin për

0%

Të premten, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim konsultativ të martën, më 18 gusht, në orën . Ftesën e ka konfirmuar për transmetuesin publik Presidenca e Kosovës, ndërsa ajo u është dërguar veçmas përfaqësuesve të subjekteve politike.

Në ftesën dërguar partive, thuhet se takimi lidhet me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese ”, thuhej në ftesë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Takimi do të mbahet në Zyrën e Presidentes, ndërsa të ftuarve u është kërkuar që të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre ose të përfaqësuesit të subjektit politik. Por, mospjesëmarrjen e tyre menjëherë e kanë deklaruar PDK e AAK.

Të shtunën, PDK-ja ka kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa Aleanca ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e zvarrit bllokadën institucionale për ta çuar vendin në zgjedhje. ‘Problemi’ i partive, përgjegjësit e presidentit dhe rreziku real Politologu Ramadan Gjanaj, thotë se refuzimi i PDK-së dhe AAK-së nuk është befasi.

Politologu Ramadan Gjanaj Sipas tij, ky refuzim objektivisht e vështirëson zgjidhjen e ngërçit. “ Refuzimi i PDK-së dhe AAK-së nuk është befasi. Ai është në vazhdën e qëndrimit të tyre politik gjatë kësaj periudhe: ato nuk duan të hyjnë në një proces ku mendojnë se mund të shërbejnë vetëm për t’i dhënë legjitimitet një zgjidhjeje të përcaktuar nga raporti aktual i forcave politike.

Po, ky refuzim objektivisht e vështirëson zgjidhjen e ngërçit. Zgjedhja e Presidentit kërkon një shumicë të gjerë parlamentare dhe, pa një pjesëmarrje të konsiderueshme të opozitës, rreziku i një bllokade të zgjatur mbetet i madh. Por problemi kryesor nuk është vetëm refuzimi për të marrë pjesë në një takim.

Problemi është mungesa e një kornize të negocimit në të cilën të gjithë aktorët të kenë interes për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, në vend që të përgatiten për një raund tjetër zgjedhor ”, deklaron Gjanaj për “Bota sot”. Sipas tij, problemi është më i gjerë se vetë formati i një takimi.

“Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se kjo nuk është vetëm çështje e takimit të thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes. Edhe Albin Kurti i ka ftuar partitë politike për konsultime me të njëjtin objektiv: gjetjen e një zgjidhjeje politike për një President konsensual. Kjo tregon se problemi tashmë është më i gjerë se vetë formati i një takimi.

Çështja është nëse partitë janë të gatshme të hyjnë në një proces real negocimi dhe të pranojnë kompromiset që një zgjidhje e tillë kërkon”, thekson politologu. Refuzimin për takim me Haxhiun, Gjanaj e sheh në dy dimensione. Por, sipas tij, refuzimi i një takimi nuk do të thotë domosdoshmërisht refuzim i çdo marrëveshjeje.

“Mendoj se këtu ekzistojnë të dyja dimensionet: parimi dhe strategjia politike. Në planin parimor, PDK-ja dhe AAK-ja mund të konsiderojnë se nuk duhet të legjitimojnë një proces që, sipas tyre, nuk ofron garanci të mjaftueshme për një zgjidhje vërtet konsensuale.

Në planin strategjik, refuzimi u mundëson të mos hyjnë në një negociatë pa garanci të qarta për rezultatin, ndërkohë që ruajnë presionin politik për një skenar të ri zgjedhor, i cili mund t’i favorizojë. Kjo është një strategji e njohur e opozitës: të mos i japë mbështetje politike një zgjidhjeje që mund të forcojë kryesisht forcën politike që doli e para në zgjedhje.

Megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Refuzimi i një takimi nuk do të thotë domosdoshmërish refuzim i çdo marrëveshjeje. Nëse opozita refuzon një format negocimi, atëherë përgjegjësia u kalon të gjitha palëve për të gjetur një format tjetër që mund të krijojë besimin minimal të nevojshëm.

Në fund të fundit, një President konsensual nuk mund të zgjidhet vetëm përmes numrave; ai kërkon një marrëveshje politike që të jetë e pranueshme edhe përtej shumicës parlamentare”, n ënvizon Gjanaj.

I pyetur se çfarë kompromisi duhet të bëjnë pozita dhe opozita për të arritur një marrëveshje për Presidentin, Gjanaj, thotë se fillimisht duhet të jetë një kandidat konsensual dhe i pranueshëm për shumicën dhe opozitën. Pastaj, ai rendit përgjegjësit tjera të presidentit konsesual. “ Kompromisi nuk mund të kufizohet vetëm në emrin e Presidentit.

Ai duhet të ndërtohet mbi një logjikë ndërvarësie. Së pari, duhet të gjendet një kandidat për President që të jetë realisht konsensual dhe i pranueshëm për shumicën dhe opozitën, qoftë si figurë jashtëpartiake, qoftë si një figurë politike që gëzon një pranueshmëri të gjerë.

Së dyti, duhet të ketë mekanizma të qartë konsultimi dhe të ndarjes së përgjegjësisë politike, sidomos për çështjet më të ndjeshme që lidhen me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Dhe së treti, duhet të ketë garanci që asnjëra palë të mos mundet, në momentin kur kostoja politike e një vendimi bëhet e lartë, të paraqitet si spektatore apo viktimë e një vendimi që është marrë në kuadër të një përgjegjësie të përbashkët. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një koalicion të mundshëm LVV-LDK.

Nëse një qeveri e tillë do të përballej me kërkesa konkrete për zbatimin e detyrimeve të marra në kuadër të dialogut të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, atëherë të dyja partitë do të duhej të ndanin jo vetëm përgjegjësinë institucionale, por edhe koston politike të vendimeve.

Pa këto elemente, edhe nëse gjendet një emër për Presidentin, marrëveshja do të mbetet e brishtë dhe mund të prishet përballë krizës së parë të vërtetë politik e”, thekson politologu. Në fund, sipas Gjanajt, nëse vazhdon refuzimi nuk përjashtohen zgjedhjet e reja. “Po, rreziku është real.

Nëse refuzimi i PDK-së dhe AAK-së vazhdon dhe nëse as me LDK-në nuk gjendet një bazë e qëndrueshme marrëveshjeje, skenari i një bllokade të zgjatur dhe, në fund, i zgjedhjeve të reja nuk mund të përjashtohet. Por pyetja kryesore është nëse forcat politike do të jenë në gjendje të ndërtojnë një marrëveshje që mund të zgjasë përtej zgjedhjes së Presidentit.

Sepse edhe nëse gjendet një zgjidhje për Presidentin, kjo nuk do të thotë automatikisht se është zgjidhur kriza politike. Në fakt, sfida më e madhe do të vijë pas marrëveshjes: kur qeveria e ardhshme të përballet me vendime të vështira, veçanërisht në lidhje me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe dialogun me Serbinë.

Nëse partnerët politikë nuk krijojnë mekanizma që i detyrojnë të ndajnë edhe koston politike të vendimeve të përbashkëta, atëherë rreziku i një krize të re mbetet shumë i madh.

Prandaj, zgjedhjet e reja janë një mundësi reale, por ato nuk do ta zgjidhnin domosdoshmërish problemin themelor nëse partitë vazhdojnë të mos jenë në gjendje të ndërtojnë mekanizma bashkëpunimi dhe përgjegjësie të përbashkët.

Në fund të fundit, problemi i Kosovës nuk është vetëm se si të zgjidhet Presidenti, por se si të ndërtohen marrëdhënie politike dhe mekanizma institucionalë që e bëjnë një marrëveshje të qëndrueshme.

Dhe këtu rikthehemi te ideja e ndërvarësisë: nuk është e domosdoshme që partnerët politikë t’i besojnë plotësisht njëri-tjetrit; është e domosdoshme që sistemi t’i bëjë të dyja palët të kenë interes të qëndrojnë në marrëveshje ”, përfundon Gjanaj. Një ditë para datës së ftuar për takim, Haxhiun e refuzoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përmes një deklarate në një television, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se pret takim vetëm me kryetarin e LVV-së. “Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive, në këtë rast takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin.

Në pikëpamjet tona, zonja Haxhiu është deputete e Kuvendit dhe, në këtë rrjedhë, ne mund të flasim vetëm me ata që janë përgjegjës për këtë pu në”, ka thënë Abdixhiku. Kritika ndaj opozitës Ndërsa, opinionisti Gani Mehmeti, refuzimet i quan gjest të keq e inaçor. Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” i konsideron partitë të mllefosura.

Gani Mehmeti “Refuzimi i PDK dhe AAK për takimin e thirrur nga Albulena Haxhiu, është një gjest i keq, është një gjest inatçor pse kjo parti nuk doli e para në rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 si dhe të zgjedhjeve të mëparshme, që humbin tani e disa herë me radhë.

Janë tepër të mllefosura dhe të revoltuara në zgjedhësit dhe të inatosura në LVV, sa nuk duan as të bisedojnë për postin e kryetarit të Kosovës për ta zgjedhur. Këto shkojnë aq larg sa duket se janë krijuar armiqësi mes tyre e jo rivalitete. E, zgjedhjet nuk fitohen vetëm pse duam, ato fitohen jo vetëm me premtime, por me realizime.

E, këto dy parti ishin edhe më parë në qeveri e pushtet, sa patën harruar fare fare shtetin, duke ndenjur vetëm në pushtet ”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”. Refuzimi i tyre, sipas Mehmetit, nuk është parimor dhe vështirëson zgjidhjen e ngërçit. Sipas tij, kështu veprojnë vetëm armiqtë e Kosovës.

“Ky qëndrim kaq armiqësor me Lëvizjen Vetëvendosje edhe vështirëson aq shumë zgjidhjen e ngërçit, sa mbetet i pazgjidhur dhe pa formimin e institucioneve të Kosovës. Është tepër cinike veprimi i këtyre partive veprimi ndaj Albulena Haxhiut, duke i thënë se ti nuk je kryetare.

Refuzimi i tyre nuk është parimor partitë tona po të kishin parime, do duhej ta kishin parim shtetin në radhë të parë, jo interesin partiak e personal mbi shtetin. Është qëndrim strategjik në përpjekje për ta dobësuar funksionalizimin e LVV dhe qeverisë së Kosovës.

Krejt këto vijnë nga inatet pse nuk dolën të parat në zgjedhje, se vetëm me mungesën e negociatave mund të vije tek bllokimi i funksionalizimit të institucioneve, meqë kërkohen 2/3 e e deputetëve në votim, gjegjësisht në qëndrimin e tyre në sallë. Kësisoj do të vepronin vetëm armiqtë e Kosovës, përse të mos formohen institucionet dhe të ecin përpara të gjitha?”, thekson opinionisti.

Pozitë e opozitë nuk duhet të mbajnë inate, thotë Mehmeti, duke shtuar se ky refuzim rrezikon shumë drejt krizës së Kosovës. “Për të ardhur deri tek kompromisi, pozitë dhe opozitë do duhej të uleshin dhe të bisedonin e të zgjedhnin kryetarin e Kosovës, mbasi sa i përket kuvendit dhe qeverisë, LVV ka vota të mjaftueshme dhe nuk do të kishte farë problemi.

Opozita nuk do duhej të mbajë inate, pse nuk doli e para asnjëra nga partitë e tjera, të cilat lehtë do të qeverisnin, sepse ato edhe më parë kanë[ qenë n ë koalicion dhe kanë funksionuar bukur mirë.

Ato janë të gjitha me inat ndaj Kurtit, për çka nuk kanë të drejtë, sepse, vërtet, rreth zgjedhjes së kryetarit, përgjegjësinë e kanë të gjitha partitë dhe është dashur ta ndihmojnë në zgjedhje. Ky refuzim rrezikon shumë drejt krizës së Kosovës.

Dhe është shumë interesant me veprimin e opozitës, sepse në herët e mëparshme, kur formuan kuvendin e qeverinë pa bisedime për kryetarin, opozita u hidhërua pse më parë nuk u bisedua edhe për kryetarin. Ndërkaq, tani që po kërkon Kurti bisedime për kryetarin më parë se të formojë kuvendin e qeverinë, ata po kërkojnë formimin e kuvendit e qeverisë e tek më pastaj të zgjidhet kryetari!

Krejt e kundërta me të kaluarën. Mos zgjedhja e institucioneve po rrezikon ndihmat nga BE dhe funksionimin e institucioneve, jemi bukur moti pa institucione”, përfundon Mehmeti për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot