Edhe ditën e sotme, një grup të rinjsh kanë protestuar para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke kërkuar hetim dhe drejtësi për disa prej çështjeve më të diskutuara të viteve të fundit. Të rinjtë u shfaqën me pankarta në duar, përmes të cilave i kërkuan SPAK-ut të mos harrojë dosjet që, sipas tyre, ende nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare nga drejtësia.
Në pankarta u përmendën ndër të tjera dosja e Portit të Durrësit, çështja McGonigal, projekti në Zvërnec, patronazhistët dhe inceneratorët. Protestuesit kanë kërkuar që institucionet e drejtësisë të hetojnë atë që ata e konsiderojnë si keqqeverisje dhe korrupsion, duke bërë thirrje edhe për përgjegjësi penale për zyrtarët që, sipas tyre, janë të përfshirë në këto çështje.
Kjo nuk është protesta e parë e këtij grupi të rinjsh para SPAK-ut. Në disa raste të mëparshme, ata janë mbledhur para institucionit duke kërkuar hetimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë, si dhe arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Protestat e përsëritura synojnë të mbajnë në vëmendje publike dosjet e shumëpërfolura dhe t’u bëjnë presion institucioneve të drejtësisë për të dhënë përgjigje mbi hetimet dhe përgjegjësitë që mund të dalin prej tyre. Të rinjtë kanë paralajmëruar se do të vijojnë të kërkojnë transparencë dhe drejtësi për çështjet që i konsiderojnë të pazbardhura.
