BDI ka dalë me reagim në lidhje me urimin e Ministrisë së Mbrojtjes për përvjetorin e Armatës së Maqedonisë së Veriut. Nga BDI thonë se në rendin kushtetues, përcaktimi “maqedonas” lidhet vetëm me identitetin etnik të popullit maqedonas, ndërsa emri zyrtar është Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas BDI-së, ajo u përket të gjithë qytetarëve dhe të gjitha bashkësive që e përbëjnë shtetin. “Ndoshta Ministria, pa dashje, ka përshkruar realitetin që vetë Qeveria po krijon. Shqiptarët janë larguar sistematikisht nga pozitat e larta dhe nga qendrat vendimmarrëse në sektorin e mbrojtjes. Dhjetë drejtorë në Ministrinë e Mbrojtjes asnjë shqiptar.
Në nivelet ku merren vendimet, prania shqiptare është reduktuar deri në përjashtim të plotë”. “Armata financohet edhe nga taksat e shqiptarëve. Shqiptarët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në uniformën e saj. Familjet shqiptare ia kanë besuar këtij institucioni bijtë dhe bijat e tyre.
Askush nuk ka të drejtë ta shndërrojë atë në pronë simbolike dhe institucionale të vetëm një bashkësie”. “Ndërkohë, s’vlen-i hesht. Ministrat dhe zëvendësministrat e tyre ruajnë kolltukët, ndërsa shqiptarët humbin pozitat në polici, në ushtri dhe në gjithë sistemin e sigurisë. Roli i tyre është reduktuar në arsyetimin e vendimeve të VMRO-së dhe në prodhimin e komunikatave kundër BDI-së.
Kërkojmë korrigjimin e menjëhershëm të emërtimit, publikimin e strukturës etnike të pozitave drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes dhe rikthimin e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”. “Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion i përbashkët.
Çdo përpjekje për ta paraqitur dhe ndërtuar si institucion monoetnik cenon drejtpërdrejt karakterin multietnik të shtetit dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit”, thonë nga BDI.
