Profesori Enver Bytyçi ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, se “Serbinë edhe po ta lusim, ajo nuk vjen në Kosovë”. Bytyçi e ka vënë në pikëpyetje këtë deklaratë, duke e lidhur me qëndrimet e mëhershme të lidershipit politik të Kosovës ndaj Serbisë dhe zhvillimeve që kanë prekur veriun e vendit.
Në reagimin e tij dërguar “Bota sot”, profesori ka kërkuar sqarime se si duhet kuptuar deklarata e Halitit dhe çfarë qëndrimi politik qëndron pas saj. Shkrimi i plotë Xhavit Haliti shpesh herë thotë gjëra të çuditshme. Para pak vitesh këputi profkën sipas së cilës në Kosovë të gjithë i kanë nga dy milionë euro. Sepse ngaqë ai vetë i ka kaq euro, beson se edhe të tjerët duhet t’i kenë.
Politikan jashtë çdo realiteti! Para dy ditësh ka këput edhe një tjetër mufkë: – Serbinë edhe po ta lusim, ajo nuk vjen në Kosovë, tha Xhavit Haliti. Po mirë mo burrë, kur Serbia nuk po vika në Kosovë edhe me lutje, pse atëherë e lutët ju Vuçiqin të vijë e t’i marrë pasuritë e çmuara të Kosovës në veri të saj?! Në mos ti, shefi yt, që sot gjendet në Hagë e bëri këtë.
Por ti Xhavit nuk u distancove nga Hashim Thaçi. Nuk u distancove as nga Vlora Çitaku. Po ashtu nuk the një fjalë për ministren e integrimit të partisë tënde, e cila pagoi nga buxheti i shtetit për të lobuar për ndarjen e Kosovës. Pse Xhavit, pse duhej t’i jepej Serbisë territor nga Kosova, kur ajo nuk paska asnjë interes për Kosovën?! Si ta kuptojmë këtë deklaratë?
Si valium për t’i vu njerëzit në gjumë?! Si ndihmë për Vuçiqin, me qëllim që ai të pranohet nga komuniteti ndërkombëtar si njeriu i paqes?! Na thuaj si?
